

Padova, 22 nëntor 2025
Një akt guximi i jashtëzakonshëm i një të riu shqiptar ka marrë vëmendjen e gjithë Italisë. Kryeministrja Giorgia Meloni ka përshëndetur publikisht Elton Zefin, 32 vjeç, i cili shpëtoi një 85-vjeçar italian nga mbytja pasi makina e tij ra në ujërat e kanalit Battaglia në Padova.
Në një postim në Instagram, Meloni e cilësoi shqiptarin “hero”, duke theksuar se “një jetë u shpëtua falë guximit dhe altruizmit të atyre që vendosën të ndërhyjnë”. Ajo nënvizoi se veprime të tilla tregojnë vlerat e larta njerëzore dhe reagimin e menjëhershëm në momentet kritike.
Ngjarja ndodhi kur automjeti i biznesmenit 85-vjeçar Giuseppe Salvalajo doli nga rruga dhe përfundoi në kanal, duke rrezikuar të fundoset plotësisht. Elton Zefi, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, u hodh pa hezitim në ujë dhe, së bashku me një person tjetër që u afrua për ndihmë, arriti të çojë të moshuarin në breg në gjendje të sigurt.
Autoritetet italiane e kanë vlerësuar ndërhyrjen e tij si jetike dhe thelbësore për shpëtimin e 85-vjeçarit, ndërsa mediat vendase e kanë përshkruar Zefin si një simbol të solidaritetit dhe trimërisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






