

Një ngjarje mjekësore në Tiranë ka çuar në hetimin e një mjekeje dhe një infermiereje, pasi një paciente 56-vjeçare është dërguar në spital me reakcione të dyshuara nga medikamentet.
Sipas informacionit të Policisë së Tiranës, mjekimi ishte përshkruar nga një mjeke 46-vjeçare, ndërsa aplikimi i injeksioneve ishte kryer në banesën e pacientes nga një infermiere 71-vjeçare, aktualisht në pension. Pas incidentit, 56-vjeçarja është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia bëri të ditur:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetaset E. H., 46 vjeçe, me detyrë mjeke, dhe A. T., 71 vjeçe, infermiere (në pension). Nga veprimet hetimore paraprake rezultoi se pacientja F. K., 56 vjeçe, është dërguar në spital si pasojë e një reaksioni nga medikamentet. Mjekimi ishte përshkruar nga E. H., ndërsa injeksionet janë aplikuar në banesë nga A. T. Pacientja aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.”
Hetimet për ngjarjen po vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






