

MIRDITË – Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti i rëndë i ndodhur mbrëmjen e së premtes në Rrugën e Kombit, pranë fshatit Qafë Mollë, ku humbi jetën i riu 24-vjeçar Eugen Bardhoku. Automjeti i tij është përplasur me dy kamionë, ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende nën hetim.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e njërit prej kamionëve, Vllaznim Gashin, ndërsa shoferi i dytë është identifikuar si Nexhmedim Isufi. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave. Përplasja ka shkaktuar bllokim të rënduar të trafikut, duke krijuar radhë të gjata automjetesh në këtë aks të rëndësishëm.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 19:45. Tre automjete – dy kamionë dhe një autoveturë – janë përfshirë në aksident, ku për pasojë humbi jetën drejtuesi i veturës, Eugen Bardhoku.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të përplasjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Njoftimi i policisë:
Mirditë / Informacion paraprak- Rreth orës 19:45, në “Rrugën e Kombit”, në fshatin Qafë Mollë, Mirditë, janë përplasur tre automjete (dy kamionë dhe një autoveturë). Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi E. B., rreth 24 vjeç.
Drejtuesi i njërit prej kamionëve, shtetasi V. G., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.



Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






