

KOSOVË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar afatet zyrtare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke vendosur që fushata zgjedhore të zgjasë 12 ditë: nga 17 dhjetori deri më 28 dhjetor, ditë në të cilën zhvillohet votimi dhe hyn në fuqi heshtja zgjedhore.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, bëri të ditura datat kryesore të procedurave për vëzhguesit dhe subjektet politike. Sipas tij, aplikimet për vëzhgues do të jenë të hapura nga 5 deri më 20 dhjetor.
Partitë politike të regjistruara duhet të deklarojnë pjesëmarrjen dhe koalicionet e mundshme nga 24 deri më 30 nëntor. Po në të njëjtat data zhvillohet edhe aplikimi për certifikimin e subjekteve politike, i cili ndahet në dy faza: certifikimi i vetë subjekteve dhe i listave të kandidatëve. Afati për listat e kandidatëve zgjat deri më 7 dhjetor.
Shorti për renditjen e subjekteve në fletëvotim do të tërhiqet më 8 dhjetor. Ndërkohë, KQZ do të marrë vendimin për anëtarët e komisioneve komunale më 26 nëntor. Nga e njëjta datë deri më 6 dhjetor, votuesit mund të aplikojnë për ndërrimin e qendrave të votimit.
Aplikimet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të zhvillohen nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor, ndërsa votimi përmes postës do të jetë i hapur nga 12 deri më 27 dhjetor.
Në mbledhjen e sotme, KQZ certifikoi gjithashtu rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale. Kryesuesi Kreshnik Radoniqi njoftoi fituesit për kryetarët e komunave, ndërsa komuna e Istogut mbetet jashtë certifikimit për shkak të një rivendosjeje në PZAP.
Gjatë mbledhjes, Arianit Elshani shprehu pakënaqësi për rezultatin në Mitrovicën e Jugut, por deklaroi se do të votojë pro miratimit të rezultateve. Ndërkohë, anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur kundër certifikimit të rezultateve të kuvendeve komunale, ku Lista Serbe ka shumicën e votave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






