Transmetuar më 21-11-2025, 20:08

Tiranë, 21 nëntor 2025 – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ashpërsuar tonet politike duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren e pezulluar Belinda Balluku për skandale korrupsioni dhe shantazhe, ndërsa sulmoi ashpër edhe komisioneren e zgjerimit të Bashkimit Europian, Marta Kos.

Sipas Bardhit, kryeministri Rama nuk ka marrë ende një vendim për shkarkimin e Ballukut pasi — siç tha ai — është “i shantazhuar” nga ish-numri dy i qeverisë, e cila aktualisht përballet me masa të dhëna nga GJKKO për çështje tenderash.

“Rama është në krye të çdo afere korruptive, Balluku e ka ulur në gjunjë dhe e shantazhon,” u shpreh Bardhi, duke e cilësuar situatën në qeveri si të rëndë dhe të komprometuar.

Kreu i grupit parlamentar demokrat u ndal më pas te komisionerja europiane Marta Kos, e cila një ditë më parë deklaroi se zgjedhjet e 11 majit kanë qenë “të lira dhe të ndershme”, pavarësisht kritikave të OSBE/ODIHR-it.

“Komisionerja u bë zëdhënëse e një qeverie të korruptuar. Të deformosh realitetin dhe të mohosh atë që ka thënë OSBE/ODIHR-i e zeza mbi të bardhë, do të thotë që nuk ke respekt as për veten dhe as për qytetarët shqiptarë,” tha Bardhi.

Ai shtoi se “e di” arsyen pse, sipas tij, Kos ka dalë jashtë rolit të saj institucional: “Personalisht unë e di çfarë e detyron zonjën Kos që të shndërrohet në një zëdhënëse të të pavërtetës. Do të bëjmë gjithçka që këtë ta mësojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe europianët shumë shpejt. Por për sot po ndalem këtu.”

Deklaratat e Bardhit vijnë në të njëjtën linjë me ato të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më herët akuzoi BE-në për “mbështetje politike” ndaj qeverisë Rama.

Nga ana e saj, gjatë samitit rajonal, komisionerja Kos u pyet mbi kritikat në raportin e OSBE/ODIHR-it, të cilit ajo iu përgjigj: “Zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Është pozitive që marrim sugjerime për përmirësime — kjo është e mirë si për Shqipërinë, ashtu edhe për BE-në.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit