Transmetuar më 21-11-2025, 17:52

SERBI- Gazetari investigativ kroat Domagoj Margetić paraqiti një padi kundër Presidentit serb Aleksandar Vuçiç te prokurorët e Milanos të mërkurën, si pjesë e hetimit për të ashtuquajturin "safari i Sarajevës" – një rast që përfshin "turistë snajperë" të huaj të cilët dyshohet se paguan ushtarë për të vrarë civilë gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990.

Prokurorët e Milanos kanë nisur tashmë një hetim zyrtar ndaj shtetasve italianë që dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjet e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës nga viti 1992 deri në vitin 1996.

Sipas provave deri më tani, grupe vizitorësh të huaj dyshohet se u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve besnikë të Radovan Karaxhiçit për të fituar akses në lartësitë përreth qytetit dhe për të qëlluar civilët "për qejf". Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga zjarri i snajperëve dhe granatimet gjatë rrethimit më të gjatë në historinë moderne evropiane.

Hetimi u nis pas materialeve të mbledhura nga autori italian Ezio Gavacceni, si dhe një raporti zyrtar nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës Benjamina Kariç. Gavačeni tha se, megjithëse kishte lexuar artikuj të lidhur që në vitet 1990, ai vendosi ta hetonte çështjen në thellësi pas dokumentarit "Sarajevo Safari" nga regjisori slloven Miran Zupanić në vitin 2022.

Ditët e fundit, Margetić ka postuar në rrjetet sociale prova që ai pretendon se vërtetojnë se Aleksandar Vučić – atëherë një vullnetar i ri – kishte qenë në një post ushtarak nga i cili, sipas dëshmive, "turistë snajperë" të huaj dhe ultranacionalistë serbë qëllonin mbi civilët. Avokati, i cili mbështet çështjen Gavačeni, thekson se materiali i mbledhur është dokumentuar mjaftueshëm dhe mund të çojë në një hetim serioz.

Gavačeni pretendoi se dyshohet se ishin të përfshirë "shumë" italianë, pa dhënë një numër të saktë, ndërsa përmendi se morën pjesë edhe qytetarë nga vende të tjera perëndimore.

“Nuk kishte motive politike apo fetare. Ata ishin njerëz të pasur që paguanin për të qëlluar civilët”, tha ai, duke shtuar se udhëtimi i tyre për në Sarajevë ishte nëpërmjet Beogradit, të shoqëruar nga ushtarë serbo-boshnjakë.

Aleksandar Vuçiç nuk ka komentuar mbi akuzat e reja. Megjithatë, në një intervistë të vitit 2021 me një rrjet televiziv boshnjak, ai mohoi kategorikisht se kishte qëlluar ndonjëherë qytetin, duke i përshkruar akuzat si manipulim politik që rrjedh nga tensionet dhe nacionalizmi i kohës./

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit