Transmetuar më 21-11-2025, 15:23

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier njoftoi vendosjen e masës së sekuestros mbi 15 pasuri të luajtshme, të paluajtshme dhe llogari bankare në pronësi të shtetasve N.B., E.B. dhe familjarëve të tyre. Sipas organit të akuzës, këto pasuri dyshohet se janë krijuar përmes investimit të fitimeve të marra nga veprimtari e paligjshme dhe nuk justifikohen me të ardhurat e deklaruara ndër vite.

Hetimi nisi në vitin 2019, pas referimit të Policisë së Fierit, ku kishte dyshime se vlerat monetare të përfituara jashtë vendit ishin përdorur për blerjen e pasurive në Shqipëri. Prokuroria evidentoi se shtetasi N.B. është dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Kurorës së Shrewsbury-t në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa vëllai i tij E.B. është dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Leeds-it për të njëjtën veprimtari.

Gjatë verifikimeve, u konstatua se disa apartamente, njësi shërbimi, garazhe dhe llogari bankare të regjistruara në emër të familjarëve nuk përputheshin me të ardhurat e ligjshme të deklaruara, dhe nuk dokumentohej origjina financiare e mjeteve të përdorura për t’i blerë.

Me kërkesë të Prokurorisë dhe me miratimin e Gjykatës së Fierit, u vendos sekuestro mbi këto pasuri:

Apartamente, njësi dhe garazhe në Yzberisht dhe në Golem, në pronësi të N.B., E.B., M.B., Z.B., K.B. dhe L.B.

Llogari bankare të bllokuara deri në: 205 mijë euro (E.B.), 100 mijë euro (K.B.) dhe 63 mijë euro (J.B.).

Prokuroria e Fierit deklaroi se hetimet do të vijojnë për të dokumentuar burimin e pasurive dhe për të ndërmarrë të gjitha hapat për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve që rezultojnë të pajustifikuara. /noa.al

E PLOTË / Nuk i justifikonin pasuritë e krijuara ndër vite, Prokuroria Fier sekuestron 15 prona e llogari bankare të dy vëllezërve të dënuar në Angli për prodhim të lëndëve narkotike

Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, sekuestron 15 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit N.B. dhe familjarëve të tij, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.270 të vitit 2019, të regjistruar mbi bazën e referimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kishte dyshime se shtetasi N.B., nëpërmjet familjarëve të tij, ishte përfshirë në veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimatrisë kriminale, u konstatua se vlerat monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal, ishin investuar në blerje të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat përdoren si mjet për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.

Prokuroria, mbështetur në faktet dhe të dhënat e marra, vlerësoi të kryejë verifikime të thelluara mbi pasuritë dhe asetet në pronësi të subjektit të dyshuar dhe pas administrimit të provave të nevojshme, regjistroi kryesisht procedimin pasuror nr.2, datë 13.11.2025.

Nga hetimet u dokumentua fakti se shtetasi N.B, në datë 19.06.2017 është dënuar nga Gjykata e Kurorës së Shrewsbury-t (MB) për prodhim të lëndeve narkotike. Po ashtu, edhe shtetasi E.B. (vëllezër) në datë 19.04.2024 është dënuar nga Gjykata e Kurorës e Leeds-it (MB) për të njëjtën vepër.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se në pronësi të shtetasve N.B, E.B dhe familjarëve të tyre, janë pasuri të paluajtshme apo llogari bankare të cilat nuk justifikohen me të ardhurat dhe këta dy shtetas nuk dokumentojnë origjinën dhe mundësinë ekonomike për fitimin e këtyre pasurive.

Mbështetur në këto të dhëna, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe me miratimin e Gjykatës Fier, u vendos sekuestro mbi pasuritë e mëposhtme:

1. Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 108.56m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetasit N.B;

2. Pasuri e llojit garazh, me sipërfaqe 18.04 m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetasit N.B;

3. Pasuri e llojit garazh, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetasit E.B;

4. Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 69.11 m2, Golem, Kavajë, në pronësi të shtetasit E.B;

5. Pasuri e llojit njësi, me sipërfaqe 136.1m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetasit M.B;

6. Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 90.2 m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetasit M.B;

7. Pasuri e llojit garazh, me sipërfaqe 25.33 m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetasit M.B;

8. Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 111.70 m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetases Z.B;

9. Pasuri e llojit garazh, me sipërfaqe 28.40 m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetases Z.B;

10. Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 119.30 m2, Tiranë”, në pronësi të shtetasit K.B;

11. Pasuri e llojit apartamenti, me sipërfaqe 105,9 m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetases L.B;

12. Pasuri e llojit garazh, me sipërfaqe 24.60m2, Yzberisht, Tiranë, në pronësi të shtetases L.B;

13. Llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë të shtetasit E.B, deri në vlerën 205’029.41 (dyqind e pesëmijë e njëzetë e nëntë pikë dyzetë e një) Euro;

14. Llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë të shtetasit K.B, deri në vlerën 100’000 (njëqindmijë) Euro; dhe

15. Llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë të shtetases J.B, deri në vlerën 63’000 (gjashtëdhjetë e tremijë) Euro.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprat që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit