

Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë lidhur me pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar situatën si një tregues të “reflekseve antidemokratike” brenda sistemit të drejtësisë, raporton noa.al.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet aktualisht pa një zëvendëskryeministër dhe pa një ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë. Rama theksoi se vendimi i Shkallës së Parë do të respektohet pa kushte, por paralajmëroi se çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Kryeministri e konsideroi këtë zhvillim si një rast të paprecedent në Evropë, duke vënë në dukje se “nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të vendosin kokë më kokë për pezullimin e një anëtari të qeverisë”. Sipas tij, vendimi i marrë nga gjykata ka prekur kompetenca që i takojnë qeverisë, parlamentit dhe presidentit.
Megjithatë, Rama u shpreh se qeveria nuk do të përgjigjet me “arbitraritet ndaj arbitraritetit”, por do të vijojë ta trajtojë situatën me “durim strategjik”.
Në vijim, ai akuzoi sistemin e drejtësisë se në disa raste po vepron në mënyrë që cenon parimet demokratike:
“Pavarësia e gjyqësorit është një arritje historike dhe ka sjellë zhvillime shumë pozitive, përfshirë goditjen e kulturës së pandëshkueshmërisë. Por, krahas këtyre, janë shfaqur edhe reflekse antidemokratike që nuk mund të injorohen”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë mbetet thelbësore, por paralajmëroi për rrezikun që, siç tha ai, “të mos hidhet fëmija bashkë me ujërat e ndotura”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






