Transmetuar më 21-11-2025, 10:28

Marta Kos: “Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin, shtëpia juaj po ju pret”

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi në Tiranë më 21 nëntor 2025 se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është gjithnjë e më i lidhur me sigurinë e kontinentit dhe se Ballkani Perëndimor është pjesë thelbësore e kësaj të ardhmeje.

“Është kënaqësi për mua të jem këtu pak pasi kemi publikuar paketën e zgjerimit të BE-së. Tashmë kjo është një çështje me të cilën po punojmë intensivisht dhe ka gjithnjë e më shumë të bëjë me sigurinë. Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin. Ky është një gabim që kemi bërë dhe që duhet ta korrigjojmë”, u shpreh Kos.

Ajo theksoi se vendet e rajonit janë pjesë e natyrshme e Evropës dhe se anëtarësimi është kryesisht çështje formalizimi institucional. “Shtëpia juaj, Europa, po ju pret. Ju jeni pjesë e BE-së, thjesht duhet ta bëjmë këtë në formë institucionale”, tha ajo.

Duke iu referuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kos vuri në dukje se kanë kaluar dy vjet nga zbatimi i tij dhe se, ndonëse ka arsye për të festuar, ende ka sfida serioze. “Dy nga gjashtë vendet e rajonit nuk kanë nisur ende reformat. Shohim një lidhje të qartë mes procesit dhe reformave, por fondet janë disbursuar vetëm në rreth 10%. Duhet të bëjmë më shumë. Komisioni Evropian dëshiron që Plani i Rritjes të jetë i suksesshëm”, theksoi ajo.

Kos përmendi përfitimet konkrete që tashmë po ndihen në rajon, si përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në sistemin SEPA, duke nënvizuar se objektivi i BE-së është që të gjitha vendet të ecin përpara në sinkron. “Nuk duam që askush të mbetet pas”, tha ajo.

Komisionerja paralajmëroi gjithashtu për një afat të rëndësishëm: në qershor përfundon periudha njëvjeçare për përmbushjen e reformave të mbetura pezull, dhe në rast dështimi rrezikohen 300 milionë euro fonde. Ajo bëri thirrje për diskutime konkrete mbi uljen e tarifave të roaming-ut dhe përshpejtimin e përafrimit me rregullat e BE-së, duke theksuar se këto hapa do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për bizneset dhe qytetarët e rajonit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit