

Gjatë një aktiviteti zyrtar të zhvilluar për pritjen e delegacioneve të huaja, kryeministri Edi Rama pati një përplasje verbale me disa gazetarë, të cilët këmbëngulën t’i drejtonin pyetje mbi mundësinë e shkarkimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Teksa gazetarët kërkuan një përgjigje të drejtpërdrejtë, Rama reagoi me tone të ashpra, duke kërkuar respektimin e protokollit dhe të rendit të punës:
“Kaq të vështirë e keni të respektoni kohën? Këtu jemi për të parë dhe ndjekur ardhjen e miqve sot, në një ditë kaq të rëndësishme për vendin. Më pas mund t’i bëni të gjitha pyetjet. Kjo ‘hapni vendin, se do të hidhem’, nuk shkon,” u shpreh ai.
Kryeministri vijoi duke i krahasuar pyetjet e përsëritura me një serial të pafund:
“E keni bërë si ajo telenovela ‘Vitrinat’, 1000 episode. A e do apo nuk e do? Të do apo nuk të do? Çfarë janë këto? O Zot. Po të ketë përgjigje, nuk vazhdon telenovela… Përgjigjen do ta merrni në konferencë për shtyp.”
Në vijim, Rama kritikoi edhe mënyrën se si disa gazetarë kërkuan të merrnin fjalën:
“Pse duhet të biesh në sy me ulërima? Merre fjalën, fol me etikë dhe je në rregull. Do marrësh përgjigjen. Nëse do t’i përmbushësh këto dy kritere, unë do t’i thyej të gjitha rregullat dhe do ta jap fjalën.”
Situata ka ngjallur reagime të shumta, ndërsa pritet që çështja e Ballukut të sqarohet në konferencën e radhës për shtyp.






Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






