

Tiranë, 21 nëntor 2025 – Në vitin 2026 pritet të regjistrohen në kadastrën fiskale rreth 2.5 milionë pasuri të paluajtshme, të cilat do të jenë subjekt i taksës së re të pronës. Të dhënat janë publikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2026–2028, botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas dokumentit, kostoja e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për vitin 2026 llogaritet në 25.7 milionë lekë, ose rreth 10.2 lekë për çdo pasuri të regjistruar. Numri i regjistrimeve parashikohet të mbetet i pandryshuar edhe për vitet 2027 dhe 2028.
Për vijimin e projektit “ProTax Albania – Implementimi i taksës së pasurisë të bazuar në vlerën e tregut”, për vitin 2026 janë parashikuar shpenzime në vlerën 8.7 milionë lekë.
Fillimisht taksa e re e pronës, e llogaritur mbi vlerën e tregut të pasurisë, ishte planifikuar të hynte në fuqi më 1 janar 2026. Megjithatë, Ministria e Financave njoftoi shtyrjen e zbatimit me dy vite, duke e zhvendosur afatin në vitin 2028. Arsyeja lidhet me hartimin e një projektligji të ri, i cili pritet të miratohet gjatë vitit 2026 dhe të zbatohet paralelisht me Kadastrën Fiskale.
Drafti i mëparshëm, i publikuar për konsultim në vitin 2023, parashikonte rritje të nivelit të taksës për ndërtesat rezidenciale nga 0.1% deri në 0.2%, krahasuar me 0.05% që zbatohet aktualisht. Për ndërtesat tregtare propozoheshin nivele nga 0.15% në 0.25%, si dhe të njëjtat për ndërtesat bujqësore dhe industriale.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, drafti i ri nuk pritet të ndryshojë koeficientët e propozuar në vitin 2023, të cilët afronin nivelin e taksës me standardet e rajonit.
Ndërkohë, edhe drejtuesja e misionit të FMN-së, Anke Weber, rekomandoi vijimin e reformës së taksës së pronës si një instrument i rëndësishëm për rritjen e të ardhurave buxhetore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






