Transmetuar më 21-11-2025, 07:51

Sarandë, 21 nëntor 2025 — Reshjet e fuqishme kanë shkaktuar një situatë të rënduar në zonën e Çukës, ku argjinatura e lumit Bistricë është çarë, duke sjellë përmbytjen e pesë banesave dhe qindra hektarëve tokë bujqësore. Për shkak të ujërave, katër barinj kanë mbetur të izoluar në një stallë së bashku me tufën e deleve.

Probleme të mëdha janë raportuar edhe në zonën e Shalësit, ku lumi i Pavllës ka dalë nga shtrati pranë urës në Vilë, duke izoluar gjashtë fshatra të njësisë administrative Markat.

Situata vijon të jetë e rënduar në qarqet e Vlorës dhe Fierit, ku niveli i lumit Vjosë ka arritur në 8.25 metra dhe pritet të rritet më tej për shkak të prurjeve që vijnë nga Tepelena dhe Memaliaj. Në Mifol dhe Novoselë janë përmbytur tokat bujqësore, ndërsa në fshatin Fitore janë përmbytur 10 banesa dhe në Novoselë 7 banesa të tjera, duke detyruar familjet të evakuohen.

Përgjatë Vjosës, në fshatrat Kashisht, Çerven dhe Ferras, raportohet prezencë e ujit brenda argjinaturës, ndërsa niveli i prurjeve në lumin Seman vijon të rritet. Strukturat e emergjencave ndodhen në terren dhe monitorojnë situatën nga afër.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit