

Vlorë/Fier, 20 nëntor 2025 — Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në bashkitë e Vlorës dhe Fierit, ku 14 banesa janë përfshirë nga uji. Situata më e rënduar paraqitet në njësinë administrative Novoselë, ku 10 banesa janë nën ujë, ndërsa në fshatin Ferras janë raportuar edhe 4 banesa të përmbytura.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka deklaruar se 14 familje janë evakuuar për shkak të rrezikut, ndërsa niveli i lumit Vjosë ka kaluar mbi 8 metra, duke mbajtur zonën në alarm të vazhdueshëm.
Sipas Çakos, prurjet e lumit kanë shënuar rënie në zonën e Tepelenës dhe Memaliajt, por efektet e tyre pasqyrohen me disa orë vonesë në drejtim të ultësirës. Për këtë arsye, strukturat vendore mbeten në gatishmëri të plotë.
Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile do të vijojnë të qëndrojnë në terren deri në normalizimin e plotë të situatës, ndërsa vijon monitorimi i vazhdueshëm i niveleve të ujërave dhe zonave të rrezikuara.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






