Transmetuar më 20-11-2025, 22:36

Korçë, 20 nëntor 2025 — Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shkaktuar një situatë të rëndë në fshatin Kamenicë të Korçës, ku përroi ka dalë nga shtrati duke rrezikuar seriozisht disa banesa. Banorët raportojnë se një pjesë e skarpatës është shkëputur për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, duke devijuar rrjedhën e ujit drejt zonës së banuar.

Sipas tyre, niveli i ujit është rritur me shpejtësi dhe situata po përkeqësohet nga ora në orë. Disa prej tyre theksojnë se problemet janë shkaktuar edhe nga dëmtimi i pllaka-betonit në zonën e urës, i cili, sipas tyre, është vendosur me standarde të ulëta.

“Lumi ka gërryer skarpatat që nuk kanë as një vit që janë betonuar. Pllakat kanë plasur dhe uji po vjen drejt shtëpive. Kemi njerëz të sëmurë, rruga është bllokuar me shirita dhe rrezikohen të gjitha banesat përgjatë lumit,” shprehen banorët, duke nënvizuar se bizneset pranë rrjedhës janë gjithashtu të përmbytura.

Ata shtojnë se, ndonëse autoritetet pretendojnë se situata është “nën kontroll”, realiteti në terren është shumë më i rëndë. “Ka rënë shi edhe më parë, por kurrë nuk ka ndodhur kështu. Pllakat këputen, zënë urën dhe uji del jashtë drejt banesave,” thonë ata, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të shmangur dëme të mëdha materiale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit