Transmetuar më 20-11-2025, 20:46

Burri i pastrehë që ra në gjumë brenda një kazani mbeturinash, humbi jetën pasi u shtyp nga kamioni i pastrimit

Sajmir Beca, 30 vjeç, pësoi dëmtime tragjike në një incident pasi u mor me kazan nga një kamion mbeturinash. Shërbimet e emergjencës mbërritën në Wellington Street, Northampton, pasi shoferi i kamionit sinjalizoi ngjarjen

Një burrë i pastrehë ka humbur jetën pasi u hodh gabimisht në pjesën e pasme të një kamioni mbeturinash, ndërsa ishte duke fjetur brenda një kazani.

Tragjikisht, Sajmir Beca, 30 vjeç, u lëndua rëndë sapo ndodhi ngjarja në qendrën e Northamptonit, në orët e para të 31 tetorit. Shërbimet e emergjencës u thirrën në vendngjarje rreth orës 03:00, kur shoferi i kamionit vuri re situatën dhe ngriti alarmin.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, shihet pjesa e sipërme e trupit të viktimës në pjesën e pasme të kamionit, mes thasëve të mbeturinave. Beca u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar Coventry, por ndërroi jetë më 6 nëntor si pasojë e dëmtimeve të marra.

Hetimi paraprak për vdekjen e tij u hap sot (të mërkurën) në Guildhall, Northampton, nga ekspertja Anne Pember. Ajo konfirmoi se shkaku mjekësor i vdekjes ishte dështimi i shumë organeve, i shkaktuar nga dëmtime të rënda shtypëse në legen dhe gjymtyrët e poshtme.

Seanca e plotë e hetimit është shtyrë për më 29 prill 2026, ku pritet të dëgjohen dëshmi nga vëllai i viktimës dhe policia.

Sajmir Beca, i cili flinte në rrugë, u lëndua fatalisht ndërsa strehohej në një kazan industrial, i cili u boshatis nga një kamion i kompanisë Veolia. Një zëdhënëse e Policisë së Northamptonshire tha:

“Oficerët u thirrën për një incident që përfshinte një kamion mbeturinash në Wellington Street, pak pas orës 3 të mëngjesit më 31 tetor. Fatkeqësisht, një burrë pësoi dëmtime të rënda dhe ndërroi jetë në spital më 6 nëntor. Nuk ka rrethana të dyshimta dhe është përgatitur një raport mjekoligjor. Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e tij.”

Një e njohur e të ndjerit tha se Sajmiri ishte kthyer në Northampton atë mbrëmje nga një zonë tjetër dhe nuk kishte arritur të gjente askënd tek i cili të qëndronte, ndaj besojnë se për këtë arsye ai vendosi të flinte brenda kazanit.

Ajo pohoi se Beca nuk ishte një person që flinte rregullisht në rrugë dhe shtoi: “Na vjen shumë keq dhe duam që të kujtohet për atë që ishte, jo për mënyrën se si vdiq. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm, shumë punëtor. Ndihem tmerrësisht keq. Bashkëshorti im nuk pushonte së qari, sepse ndiente faj pse nuk kishte provuar ta telefononte. Ai telefonoi të gjithë të tjerët, por jo atë. Unë do t’i kisha thënë të vinte të flinte te ne, ose çfarëdo tjetër, por ai nuk e bëri, ndoshta sepse ndihej i turpëruar.”

Ajo shtoi: “Duhet t’i bëjmë punonjësit e kompanive të mbetjeve më të ndërgjegjshëm që të kontrollojnë kazanet, sepse tragjedi të tilla ndodhin.”

Organizata e bamirësisë për personat e pastrehë Project 16:15 konfirmoi se e njihte viktimën. Një zëdhënës tha: “Lajme të tilla tregojnë sa i domosdoshëm është misioni ynë për të strehuar sa më shumë persona të pastrehë gjatë sezonit të festave.”

Kompania Veolia, e cila menaxhon kazanet e mbetjeve në qytet, u shpreh se ishte “thellësisht e trishtuar” nga ngjarja.

Një përfaqësues i Veolia-s tha: “Jemi thellësisht të tronditur nga kjo ngjarje që përfundoi me humbje jete. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjarët dhe të afërmit. Shoferi ynë reagoi menjëherë dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim. Kemi bashkëpunuar plotësisht me policinë gjatë hetimeve. Fatkeqësisht, gjatë dimrit shohim më shumë raste të njerëzve që strehohen në kazane. Ne do të vijojmë të punojmë me bashkëpunëtorët dhe klientët tanë për të rritur ndërgjegjësimin.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit