

Gjykata shqiptare shkarkon zv.kryeministren Balluku për akuza korrupsioni
TIRANË, 20 nëntor (Reuters) – Një gjykatë në Shqipëri ka shkarkuar nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku të enjten, pasi ajo u mor e pandehur nga prokuroria për rolin e saj të dyshuar në përzgjedhjen e një kompanie për ndërtimin e një tuneli të financuar nga qeveria, njoftoi gjykata në një deklaratë.
Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Balluku. Më herët, gjatë një seance parlamentare të mërkurën, ajo i cilësoi akuzat si “përlyerje me baltë, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, duke shtuar se do të bashkëpunonte plotësisht me drejtësinë.
Balluku, e cila shërbente njëkohësisht edhe si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, është një aleate e afërt e kryeministrit Edi Rama, i cili më herët këtë vit siguroi mandatin e tij të katërt radhazi.
Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk dha më shumë detaje në vendimin e saj, “duke qenë se masat e tilla kanë natyrë konfidenciale”.
Më 31 tetor, Prokuroria e Posaçme, SPAK, tha se kishte ngritur akuza ndaj Ballukut për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”.
Akurat lidhen me ndërtimin e një tuneli 5.9 kilometra në jug të Shqipërisë, me një kosto rreth 190 milionë euro.
Akuza, e cila është parë nga Reuters, përmend se Balluku, në cilësinë e saj si ministre e infrastrukturës, ka ndikuar në mënyrë të parregullt në vendimin në favor të kompanisë fituese. Ajo gjithashtu akuzohet se ka vepruar në bashkëpunim me pesë anëtarë të tjerë të komisionit vendimmarrës.
Shqipëria synon t’i bashkohet Bashkimit Europian deri në vitin 2030, por blloku kërkon që vendi të ndërmarrë më shumë reforma kundër krimit dhe korrupsionit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






