

Prokuroria Tiranë kërkon 25 vite burg për ish-policin Tomor Çela i cili në vitin 1997 vrau dy djem pas një debati për përplasjen e makinave. Viktimat ishin Ledian Hoxha dhe Elton Dani.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon dënimin me 25 vite burg të shtetasit T.Ç. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 25 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 2103 të vitit 1997, rezultoi se i pandehuri Tomor Çela ka punuar si punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr.4 Tiranë, detyrë nga e cila është liruar më datë 15.06.1997.
Gjatë kohës që ka qenë në detyrë ai ka qenë i paisur me armën automatik model Kallashnikov të cilin nuk e ka dorëzuar por e ka mbajtur në banesë pa leje të organeve kompetente.
Tomori që shikoni në foto, më datë 27.11.1997 rreth orës 20:30 në lagjen nr.9, rruga Bajram Curri ka qëlluar me armë zjarri automatike ndaj viktimave të tij, shtetasve Ledian Hoxha dhe Elton Dani duke iu shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Viktimat në momentin e vrasjes kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip autoveture Volvo. Pas kryerjes së vrasjes i pandehuri T.Ç. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nuk është përcaktuar qartë shkaku i ndodhjes së kësaj ngjarje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve E. D. dhe L.H. Nga sa doli gjatë gjykimit, rezulton se i pandehuri T. Ç. tre katër ditë përpara ngjarjes, duke drejtuar një mjet tip benz Mercedes 240 është përplasur me autoveturën ku udhëtonin shtetasit L.H. dhe E. D., ku për pasojë janë dëmtuar të dy mjetet. Pas aksidentit i pandehuri është konfliktar me shtetasit E. D. dhe L. H. dhe më pas duke mos u dakordësuar në lidhje me dëmet e shkaktuara kanë lindur kontradikta të cilat kanë çuar në ndodhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve L. H. dhe E. D.
Nga aktet e administruara në dosje rezulton se i pandehuri i është shmangur hetimit dhe gjykimit të çështjes në ngarkim të tij. Nga ana e të pandehurit nuk është paraqitur asnjë shenjë pendese për cfarë ai ka kyrer, vrasjen e dy shtetasve të cilët kanë qenë në moshë të re.
Duke patur parasysh rrethanat e çështjes dhe sanksionin që parashikon ligji për këtë vepër penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit, T.Ç. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ në dëm të shtetasit E.D. dhe L.H. dhe dënimin e tij me 25 vite burg.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






