

Boston- Një ish-police shqiptare në Boston, Enxhi Qirici, 32 vjeçe, u shpërblye me 1 milion dollarë nga një gjykatë amerikane, pas pretendimeve se ishte shkarkuar padrejtësisht dhe ngacmuar për jetën e saj seksuale në vendin e punës.
Qirici u largua nga Departamenti i Policisë së Bostonit (BPD) në vitin 2019, pas dy incidenteve gjatë periudhës së provës. Ajo paditi më pas BPD-në në vitin 2021, duke argumentuar se shkarkimi ishte akt hakmarrjeje dhe se përjetonte diskriminim dhe ngacmime seksuale të vazhdueshme.
Gjatë hetimeve, juria vendosi se ambienti armiqësor në punë kishte ekzistuar, por shkarkimi i Qiricit nuk kishte lidhje me këtë. Përveç komenteve seksiste dhe raciste lidhur me marrëdhënien e saj me një koleg me ngjyrë, Qirici u përball edhe me situata të pakëndshme që u përdorën për të justifikuar largimin e saj.
Qirici filloi karrierën në polici në vitin 2017 dhe ishte ende në periudhën e provës kur ndodhën incidentet, duke përfshirë përplasjet me një oficer të Universitetit Northeastern dhe një incident në Aeroportin Ndërkombëtar Boston Logan. Pas shkarkimit, ajo ndoqi studime në ligj dhe tani punon si avokate në zonën e Bostonit.
“Koha e largimit sugjeronte hakmarrje,” deklaroi avokati i saj, ndërsa ish-kolegu Eliot Telisnor dëshmoi në gjykatë se puna e policit ishte ëndrra e Qiricit dhe largimi ishte emocionalisht i vështirë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






