Transmetuar më 20-11-2025, 14:39

Vendim i ri në KPK: Besim Kelmendi largohet nga drejtimi, Agron Qalaj emërohet ushtrues detyre

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë sot një vendim të rëndësishëm për strukturën e drejtësisë. Me pesë vota pro, anëtarët e KPK-së kanë vendosur shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Nga dita e nesërme, detyrën e tij do ta marrë prokurori Agron Qalaj, i propozuar nga kryesuesi i Këshillit, Ardian Hajdari.

Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas konferencës së jashtëzakonshme për media të Kelmendit, në të cilën ai reagoi ndaj raportimeve që e lidhnin me gjyqtaren serbe Danica Marinkoviq në vitin 1999—gjyqtare e cila në atë kohë ka trajtuar dosjen e masakrës së Reçakut dhe e cilësoi atë si “ngjarje të sajuar”.

Kelmendi konfirmoi se të mërkurën është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të sqaruar rolin e tij profesional në periudhën kur ka ndodhur Reçaku.

Ai tha se ka qenë i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke punuar si procesmbajtës, dhe mohoi kategorikisht se ka qenë asistent i Marinkoviqit. Sipas tij, gjyqtarja Marinkoviq ka qenë personi që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”, ku humbën jetën 45 civilë shqiptarë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit