

Gjykata e Posaçme ka reaguar zyrtarisht mbi lajmet për shkarkimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Më herët u raportua se kjo gjykatë speciale kishte dhënë dy masa sigurie për Ballukun, pezullim i ushtrimit të funksionit dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar tha se është në kushtet kur masat e sigurisë kanë karakter sekret, ndaj nuk kanë një njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. Në momentin e duhur procedural do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, deklaron GJKKO në reagimin zyrtar.
Shkarkimi i Ballukut nga gjykata erdhi pasi për herë të parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) krijoi precedent duke mos kërkuar masë sigurie arresti me burg siç ka aplikuar në rastet e mëparshme.
SPAK e akuzon Ballukun për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim për skandalin e tunelit të Llogarasë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






