Transmetuar më 19-11-2025, 19:15

Athinë, 19 nëntor 2025 – Prokuroria e Athinës ka nisur procedim penal ndaj një 29-vjeçari shqiptar, i cili akuzohet për vrasje me dashje ndaj një shoferi grek 58-vjeçar në zonën e Neos Kosmos. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të momentit për bllokimin e rrugës, që më pas u përshkallëzua në një debat të ashpër.

Mediat greke kanë publikuar pamje të kamerave të sigurisë që tregojnë momentet kur i riu ndjek me motor automjetin e viktimës, pas një shkëmbimi të tensionuar fjalësh mes tyre. Sipas raportimeve, viktima dyshohet se e kishte ofenduar dhe e kishte spërkatur më herët me spraj irritues, gjë që çoi në agravimin e situatës.

Pamjet tregojnë momentin kur 29-vjeçari ndalon, afrohet te makina dhe ushtron dhunë ndaj shoferit, i cili qëndronte në sediljen e tij. Sipas mediave vendase, goditjet ishin të shumta dhe fatale, ndërsa ngjarja u ndoq nga disa dëshmitarë në vendngjarje dhe u regjistrua nga kamerat e sigurisë.

I dyshuari, që më herët ka pasur tre procedime për kundërvajtje, u arrestua pak orë pas ngjarjes. Identiteti i tij nuk është bërë publik nga autoritetet greke. Burime të prokurorisë bëjnë të ditur se ai ka deklaruar se konflikti nisi pasi viktima i zuri rrugën dhe situata degjeneroi pas përdorimit të sprajit.

Hetimet vijojnë, ndërsa prokuroria e ka cilësuar rastin si vrasje me dashje, duke ngritur akuza të rënda ndaj 29-vjeçarit. Autoritetet po verifikojnë të gjitha pamjet filmike dhe dëshmitë për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit