

Tiranë- Sali Berisha është thirrur sot, në orën 09:00, në SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit. Paraqitja e ish kryeministrit në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar për rolin dhe përgjegjësinë e tij për plumbat që vranë 4 protestues në bulevard para kryeministrisë vjen pas refuzimit të dy fletëthirrjeve të mëparshme.
Fletëthirrja e tretë iu dha në dorë në SPAK të hënën kur Berisha shkoi për në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën “Partizani”, e cila ka kaluar për gjykim.
Në fillim u caktua e premtja por më pas u la për të mërkurën pas pretendimit të Berishës se në atë ditë do të ishte jashtë vendit.
Në daljen e djeshme publike, ai deklaroi se do të paraqitet në Prokurori. Por nëse edhe sot refuzon t’i përgjigjet thirrjes së SPAK, atëherë organi i akuzës ka detyrimin të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të tij. Më herët është thirrur për të dhënë dëshminë e tij edhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Thirrja e Berishës vjen rreth 1 vit e gjysmë që kur SPAK mori në dorë dosjen për 4 vrasjet e protestuesve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






