Transmetuar më 19-11-2025, 07:58

Tiranë, 19 nëntor 2025 – Sëmundjet tumorale po rriten me ritme shqetësuese në Shqipëri, ndërsa sistemi shëndetësor vijon të përballet me mungesa të mëdha në trajtimet me medikamente specifike. Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbulon se qindra pacientë janë detyruar të kërkojnë shërbim jashtë vendit për shkak të mungesës së barnave jetike dhe pasigurive në proceset e trajtimit.

Një rast i evidentuar nga KLSH tregon situatën alarmante: një fëmijë me tumor agresiv nuk mundi të trajtohej në vend, pasi në Shqipëri mungon medikamenti “Actinomycin D”. Familja deklaroi se, për shkak të gjendjes së rënduar dhe mungesës së alternativave, ishte e domosdoshme nisja e trajtimit jashtë kufijve. Edhe pse cikli i parë i mjekimit u sigurua në QSUT, procedurat e mëtejshme nuk u ndoqën pasi pacienti u largua për trajtim jashtë vendit.

Sipas raportit, nga viti 2020 deri në 2024, 12 pacientë që kishin nevojë për këtë medikament janë dërguar për trajtim jashtë vendit.

Megjithëse rastet me tumor janë në rritje, diagnostikimet në QSUT janë në rënie drastike. Vetëm në vitin 2024, në QSUT u regjistruan 2024 diagnoza të reja – një ulje me 45% krahasuar me vitin 2023. Ndërkohë, vdekshmëria nga sëmundjet tumorale vazhdon të rritet: 3374 persona humbën jetën gjatë vitit të kaluar, 1% më shumë se një vit më parë.

Arsyet kryesore për largimin e pacientëve jashtë vendit lidhen me mungesën e medikamenteve, pasigurinë në trajtim dhe vonesat institucionale. Nga 253 barna antitumorale të autorizuara në tregun shqiptar, 46% nuk janë importuar asnjëherë gjatë periudhës së auditimit, çka tregon për probleme të thella në furnizim.

KLSH evidenton, gjithashtu, një nivel të ulët kontrolli laboratorik mbi cilësinë e barnave, mungesë monitorimi nga autoritetet, si dhe menaxhim të dobët në të gjithë zinxhirin e furnizimit, përfshirë nën-financimin dhe procedurat e stërzgjatura.

Këto gjetje ngrenë alarmin për mungesa sistemike në ofrimin e shërbimeve shëndetësore ndaj pacientëve me sëmundje tumorale, ndërsa mijëra qytetarë vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit