Transmetuar më 18-11-2025, 21:10

FIER – Një konflikt i çastit për një vend parkimi përfundoi me plagosjen e një 33‑vjeçari mbrëmjen e së martës në lagjen “15 Tetori”. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se përplasja mes dy personave degjeneroi shpejt, derisa njëri prej tyre përdori një mjet prerës.

I plagosuri, i identifikuar si Dashnor Dorti, banues në Roskovec, u dërgua menjëherë në spital dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet dhe është vënë në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit J. R., i cili është larguar pas ngjarjes. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve.

Njoftimi i Policisë:

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 18:30, në lagjen “15 Tetori”, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi J. R., ka dëmtuar lehtë me mjet prerës shtetasin D. D., 33 vjeç, banues në Roskovec, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e shtetasit J. R.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit