

Stereotipet shqiptare për amerikanët dhe disa sqarime krahasuese

Edmond Arizaj
Nga Edmond Arizaj
Budallenj që ua shket kollaj
Mos thuaj kurrë për një punë që s’di ta bësh, amerikanët janë budallenj ua hedh thjeshtë fare.
SQARIM 1) Amerikanët nuk janë budallenj. Janë të edukuar. Nuk e tregojnë fort qejmbetjen, nuk sillen me arrogancë edhe nëse kuptojnë që ti nuk je profesionist i gjësë për të cilën ata janë duke paguar. Jemi ne që sjelljen e mirë e marrim për budallëk e dobësi dhe na duket se ua hedhim. Në fakt ata thjesht nuk prishin nervat me diçka që për ta është dytësore, tretësore, apo krejt e parëndësishme. Ata janë edukuar të qëndrojnë larg konfrontimit, përplasjes, sherrit. Ndërsa ne, si ndërtim biologjik trajtojmë çdo gjë si parësore, gjithçka e marrim personale, si fundbote dhe po ashtu jemi të aftë të bëjmë gjithçka edhe kur jemi injorantë në fushë. Amerikanët nuk janë fare budallenj, thjesht jemi ne të parëndësishëm dhe hileqarë.
Vetëm punë dhe gjumë
Amerika është vetëm për punë dhe gjumë, nuk ka si Shqipëria, qejf o qejf.
SQARIM 2) Vetëm nëntë orë të ndajnë nga “lumturia”. Pse nuk ktheheni?! Nuk është fare e vërtetë. Shqiptarët punojnë shumë sepse i tërheq paraja si mjalti mizat dhe mirë bëjnë. Bëjnë dy punë, apo tre punë, sepse munden dhe fitimet rriten shumë. S’ka më mirë. Janë rrugë që zgjedh. Mund të zgjedhësh të punosh gjithë javën dhe të premte, të shtunë të dielë të bësh qejf, nuk ka fare problem. Ashtu si mund të punosh nga dy punë dhe fundjavë të argëtohesh me qindra mënyra e vende. Por shumë zgjedhin të punojnë edhe të shtunë edhe të dielë sepse ka më shumë para. I bëjnë vetë zgjedhjet…po ashtu zgjedhin dhe të ankohen. Po është e vërtetë, nuk ka si në Shqipëri që rri në kafe gjithë ditën dhe ecën rroga, kjo mungon, të paktën aq sa kam parë unë. Në fakt Amerika u ndërtua nga ata që punojnë, jo nga ata që pinë kafe, kjo duhet mbajtur mend.
Si të socializohem me amerikanët?
Në Amerikë nuk ka jetë sociale, nuk afrohesh dot me ta, miqësitë janë të vështira.
SQARIM 3) E vërtetë, jeta është më personale, më e veçuar, më “secili për vete”, nuk ka interesim të veçantë se çfarë bën tjetri-me çfarë merret-çfarë ka veshur-me kë po shkon-u nda apo u bashkua, nuk ka orë të zgjatura sidomos paradite të ditëve të javës në biseda të zvargura kafenesh. Por jeta sociale është dhe madje e bukur, por zhvillohet pa praninë tonë. Ne nuk dimë të ndërveprojmë përtej shëmbëlltyrës sonë. Fëmijët që kanë lindur dhe janë rritur në USA po, mund të flasin krejt ndryshe, por ata nuk flasin, sepse njësoj si amerikanët, nuk lodhin kokën me çështje tretësore.
Të akullt, të mbajnë larg
Amerikanët janë të ftohtë, nuk të afrojnë, nuk të pranojnë në shoqëri.
SQARIM 4) Pse duhet të të pranojnë?! Ke dhënë prova për miqësinë? Je rritur me të-ta? Keni vite së bashku? E ke ndihmuar pa ta kërkuar, pa interes, pa i thënë budalla pas shpine? Ia ke ruajtur sekretet? E ke kujtuar dy herë rresht me mesazhe të thjeshta? Etj. Pra gjëra që lidhin miqësi e shoqëri normale. Nuk janë të ftohtë. Nuk janë të paafrueshëm. Janë krejt normalë. Madje më shumë se ne. Ne, një të ri që tenton të hyjë në shoqëri, nuk e shohim kurrë nga të mirat, por nga difektet, nga cenet, e vëmë në lojë, e tallim pas shpine, e përflasim shpejt, përpiqemi ta bullizojmë. Aaaa nëse është i rëndësishëm me prindër të rëndësishëm, përpiqemi t’i afrohemi e ta bëjmë për vete. Amerikanët nuk duan t’ia dinë sa “vlen”. Miqësitë e tyre në shumicë (po flas vetëm çka kam parë e dëgjuar vetë) janë krejt të sinqerta, kanë të bëjnë me shkëmbim bisedash, kalim kohe, argëtim, ndihmë, gjithçka e ndërsjelltë. Përfitimi vjen si diçka natyrale, jo si paramendim.
Si të argëtohem?!
Në Amerikë nuk ke çfarë të bësh, si të argëtohesh.
SQARIM 5. Ky është budallëku më i madh i dëgjuar aq shpesh dhe i përgënjeshtruar po aq shpesh në vetëm pak muaj. Kudo ku të jesh, kudo, ke me çfarë të argëtohesh dhe ta mbushësh ditën tënde pushim. Që nga nivele njerëzish mediokër, deri tek ata që janë apo e mbajnë veten për intelektualisht të ngritur mbi mesataren. Ka parqe, kënde, muze, kinema, teatro, fusha, objekte, natyrë, organizime të ndryshme e të veçanta, festivale, sporte, lojëra etj. Po e drejtë, është pak e vështirë të gjesh mish të pjekur në hell, me patate të skuqura, ca të brendshme, salcë kosi dhe ndonjë sallatë të freskët, por me sa di unë ky nuk hyn tek argëtimet në Amerikë, por në Shqipëri e ngrëna dhe kafja janë të vetmet argëtime, por ky është faji ynë.
Nuk dinë asgjë
Amerikanët janë sipërfaqësorë, janë injorantë, nuk dinë as gjeografi, as gjuhë të huaja.
SQARIM 6) Për çfarë i duhet gjeografia dhe gjuha e huaj atyre që janë pjesë e “qendrës së botës” dhe gjuhën e tyre e flasin shumica e njerëzve në Tokë?! Janë thjesht pragmatistë, shohin anën që u sjell mirëqënie në pjesën e tyre të Diellit, pa u stërmunduar me gjuhë të huaja që s’do u hyjnë ndonjëherë në punë, sepse jetojnë në vendin ku është fundi për emigrimin. Ne na duhen shumë dije, shumë informacione, shumë gjuhë, sepse jemi të varfër, të vegjël, dhe emigratorë historikisht. Nuk është se s’dinë gjë për Botën, apo se nuk nxënë, është se e kanë të panevojshme, dhe si pragmatistë nuk e mbushin “thesin me plaçka e rrecka, se kismet mund të më duhen”. Wshtë pak e guximshme të flasësh për injorancë nga një komunitet, mentaliteti i të cilëve nuk ndryshon nga ai i 30-40 viteve më parë, në rastin më të mirë dhe përpiqen pak ose aspak ta ndryshojnë.
Racizmi në gen
Amerikanët janë racistë, disa e tregojnë hapur, disa e fshehin, por janë të gjithë racistë.
SQARIM 7) Më racistë jemi ne ndaj njëri-tjetrit. E para gjë që më ra në sy në muajt e parë, ishte se shqiptarët nuk duheshin mes tyre, madje nuk e teproj aspak që kishte shenja të forta racizmi në shprehjet karshi sivëllezërve të tyre. Kjo kërkon realisht një studim të thellë. Amerikanët vërtetë kanë një të kaluar të fortë raciale, por në përditshmëri, janë shumë tolerantë ndaj të huajve. Janë mirëkuptues kur e shohin që gjuha jote është me akcent, ngec, apo di pak fjalë. Nëse ne shqiptarët të tallim menjëherë nëse një fjalë shqip e thua keq, amerikanët nuk e bëjnë. Në shumicë, përpiqen të gjejnë fjalë sa më të thjeshta për komunikim. Nuk kam parë kurrë shprehje përbuzëse ndaj njerëzve me ngjyrë që bëjnë skena psh, thjesht largohen, buzëqeshin, apo kthejnë kokën në anë tjetër, pa asnjë reagim, ndërsa minimalja që bëjmë ne shqiptarët mbledhim buzët, shohim me inat, komentojmë. Ndoshta duke provuar racizmin për një kohë mbi kurrizin tonë, na ka kthyer vetë në racistë, apo më keq kur kemi mundësi në supremacistë. Sidomos ata që janë mirë ekonomikisht.
Borxhe në banka
Në Amerikë të gjithë jetojnë me borxhe.
SQARIM 8. Amerika është e ndërtuar me punë dhe jetesa me kredi. Kredia është mjet pune, sepse nëpërmjet saj ke përfitime, shpërblime, rritje kreditesh etj. Nuk janë si bankat e Shqipërisë që në bashkëpunim me shtetin apo mbylljesytë e tij, vetëm të rrëmbejnë, grabisin dhe të shfrytëzojnë. Nuk është varfëri, është strukturë, është strategji. Por ne të djegur kurdoherë, jemi më të qetë me paratë nën jastëkë dhe duke përqeshur të tjerët, duke u përpjekur fare pak të përfitojmë nga eksperienca.
Taksa, taksa…prapë taksa
Në Amerikë të marrin frymën me taksa.
SQARIM 9. Po shko emigro në Korenë e Veriut, atje s’ka taksa. Ose pyet babën sa i kënaqur ishte me sistemin e Enver Hoxhës pa taksa. Po nëse do shërbime të mira duhet të ketë taksa, e nëse ka shërbime përtej mesatares, natyrisht do ketë dhe taksa më të larta. Mos prit të pasurohesh shoejt e të ngjash si ai amerikani aty përballë. Stërgjyshi i tij dikur punonte në minierë për 1 dollar në muaj.
Ligje, ligje, rregulla, rregulla
Në Amerikë ngado të kthehesh ka vetëm rregulla dhe ligje…që zbatohen.
SQARIM 10) E vërtetë. Do ishte më mirë rrumpalla, ku secili të bënte ç’të donte, ku çdo OPGJ, polic i thjeshtë, shef policie, avokat, prokuror, gjyqtar, apo punonjës publik që paguhet për të shërbyer, të kishte “çmimet” e tij, ku e drejta të ishte mall, e ku i pafajshmi të uronte përditë “Mos o Zot”. Duhet kuptuar, rregullat dhe ligjet janë për të ta bërë jetën më të lehtë, megjithëse të duket sikur është më e shtrënguar. Duhet t’i zbatosh fillimisht vetë i pari, pastaj të kërkosh edhe nga komshiu.
Njësoj jemi për korrupsionin
Edhe në Amerikë ka korrupsion, s’ka vetëm tek ne.
SQARIM 11) Kush e ka mohuar?! Por nuk mund të bëhet gabimi i krahasimit me vendin tonë. Korrupsioni tek ne është gjenetik, pothuaj sëmundje dhe egziston gjithkund. Në Amerikë shërbimet nuk i blen me lekë nën dorë. Nuk humbet kohë as para për burokraci të thjeshta. Nuk paguan drejtësinë. Nuk guxon të korruptosh policin në rrugë, apo mjekun a infermieren…Pra shtresa e parë dhe e dytë e shtetit, themeli, aty ku shoqëria ndërtohet, në shumicën e saj ia ka gjetur ilaçin korrupsionit. Më lartë, është punë për strukturat e specializuara. Por ama, shoqëria nuk e ka korrupsionin bisedë qëndrore si ta ushtrojë, apo si ta shfrytëzojë.
Ufff, trafik
Trafiku në Amerikë është i tmerrshëm.
SQARIM 12). Wshtë stereotipi më i çuditshëm, krahasuar gjithmonë me trafikun në Shqipëri. Për pothuaj një vit unë i kam dhënë makinës gati përditë mes dy shteteve njëri me trafik të “çmendur” (NY) dhe një tjetër më pak (NJ), por askund, askund edhe në orën pik edhe në qendra të dendura, makina nuk ka ndaluar përveç pak sekondave. Edhe në orët më të rënduara, trafiku rridhte. Krahasuar me orët në stop kaluar para se të hyja në Lezhë, dikur pa u bërë bypasi për Vlorë, apo rrugës së vajtje-ardhjes nga Elbasani, është ndryshim i madh. Le të mos e krahasojmë me trafikun e Tiranës. Shoferët thjeshtë respektonin njëri-tjetrin, rradhën dhe shenjat. Por ç’ka është më e rëndësishmja dhe që më ra shpejt në sy për krahasim, mundësia e përplasjes së dy makinave kokë më kokë në rrugë ku shpejtësia i kalon 80 km në orë është pothuaj zero. Rrugët janë të gjitha të ndara, edhe nëse shoferët çmenden, maksimumi shumica e aksidenteve është në pjesën e pasme dhe shoferët nuk goditen me grushta. Policë “gjuetarë” nuk ka. Ka kudo në fakt policë, por nuk janë në pritë për të kapur pre. Shembull: Kthehesha nga NJ dhe ndaloj diku në anën e urgjencës, sepse duhet të lexoja disa mesazhe. Pa vënë re më ishte afruar një makinë policie pas, një oficer trokiti në xham, e hapa dhe me mirësjellje thjesht më pyeti: Ke nevojë për gjë zotëri që ndalove në këtë vend? I thashë që duhet të lexoj dhe përgjigjem disa mesazheve dhe nuk e bëja dot në timon. Thjesht nderoi, madje falënderoi për veprimin dhe u largua. As kërkoi dokumenta, as patentë, asgjë. Pyeti, ofroi ndihmë, përshëndeti, u largua. Kjo është motoja e policisë, apo jo?
Në fund disa mendime modeste
pa dhënë receta
Për mendimin tim, jo vetëm në lidhje me USA, por në përgjithësi, qasja jonë duhet të ndryshojë fort. Nëse kërkojmë diçka të re, diçka të ndryshme, një mundësi tjetër, një hapësirë tjetër, një ëndërr të re, një të ardhme të re, nuk mund ta ndjekim pa ndryshuar jetën tonë të vjetër, mentalitetin tonë të vjetër, qasjen tonë arkaike. Kanë kaluar kaq vjet dhe duhet ta kishim kuptuar tashmë, se nuk jemi në qendër të Botës, nuk jemi më të mirët e më të zgjuarit, nuk jemi më të aftët, nuk jemi më të zotët. Duhet të kuptojmë që bota na bën vend, na mirëpret, mirësillet, jo për shkak të vetive tona të larta, por për shkak të edukatës, mirësisë dhe kulturës së tyre. Duhet të mësojmë nga kjo! Duhet t’i bëjmë vend vetes me përulësi, duke ndryshuar, duke u kulturuar e duke u emancipuar. Emancipimi që pretendojmë sot, fare mirë mund të mbivendoset me degjenerimin. Gjithsesi të gjesh sërish në Shqipëri e sidomos jashtë saj, mentalitet të shekullit XIX, mendime të viteve ‘90, apo qëndrime që Konica i “bëri lanet” 100 vjet më parë, është e papranueshme.
E të mos mendojmë se me investime në llaç e tulla në vendin tonë, është kryer “detyra”. Investimi më i madh është që kulturën që gjen në botë, ta sjellësh në vend. Sepse nëse mezi pret të shkosh në Shqipëri që të ecësh rrugëve si i çmendur se ke para të paguash policin, të shkosh “të mbarosh punë” sepse ke para, të marrësh shërbime para të tjerëve sepse ke para, të ulesh gjithë ditën në kafe duke qerasur gjithë lagjen dhe fisin se ke para, të bësh shtëpinë me një kat më shumë se komshiu se ke para, të bësh dasmë për inat të botës se ke para…thjesht nuk ke bërë gjë tjetër, përveçse ke përmjerë edhe ti në rrënjët e vendit tënd, si mijëra të tjerë para teje. Pak më shumë kulturë, mirësjellje e dashuri, nuk na e humbet identitetin tonë, as mundësinë për të tundur flamurin “më të bukur në botë” e për të bërë shqiponjën me duar. Pa u përpjekur të krijoj e të jap ndonjë recetë çudibërëse, sipas meje duhet të fillojmë të duam e të respektojmë njëri-tjetrin edhe pa e njohur, duhet të ndahemi përfundimisht me shpirtin tonë të vjetër e të ngushtë, duhet shkulim mentalitetin anadollak të sjelljes kokoroçe me gjithkënd, duhet të hapim vend në tru për edukatën, e duhet të na vijë turp pse sillemi ndryshe në vend të huaj dhe ndryshe në vendin tonë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






