Transmetuar më 18-11-2025, 11:57

Tiranë- Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi u paraqit këtë të martë në ambientet e SPAK, ku sipas tij është thirrur në cilësinë e kallëzuesit lidhur me çështjen e “ECO Park” në Durrës.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Bylykbashi deklaroi para mediave se kallëzimi i paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së daton nga marsi i vitit 2024 dhe lidhet me atë që ai e cilëson si një aferë korruptive me vlerë të lartë financiare.

Sipas deputetit, projekti është kontraktuar për rreth 19 milionë euro, ndërsa punimet, sipas tij, janë realizuar nga një kompani e lidhur me skemën e inceneratorëve për vetëm 6.5 milionë euro. Ai u shpreh se diferenca prej 12.5 milionë eurosh përbën sipas kallëzuesve "dëmtim të rëndë ekonomik".

“ECO Park është më keq se Tuneli i Llogarasë,” tha Bylykbashi, duke shtuar se për shkak të hetimit në vijim nuk mund të japë detaje të tjera. Ai theksoi se dëshiron të ruajë sekretin e veprimeve hetimore, ndërsa kujtoi se kallëzimi është publik dhe i depozituar nga disa deputetë të grupit demokrat.

Deputeti nënvizoi se çështja prek zonën zgjedhore të bashkisë Durrës, ndaj dhe ka pasur interes të veçantë për ecurinë e procedimit penal.

Hetimet për projektin “ECO Park” vijojnë nën drejtimin e SPAK, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera zyrtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit