

Një ditë pas protestës së banorëve të tre fshatrave në zonën e Korçës për pamundësinë e transportit dhe lëvizjes si pasojë e aksit Qukës-Qafë Plloçë dhe mungesës së një arterieje infrastrukturore për t’i lidhur ata, Policia ka proceduar penalisht 8 prej tyre.
Edhe pse protesta ishte paqësore, ku banorët apeluan që autoritetet e Bashkisë të shkonin atje dhe t’u jepnin zgjidhje, nuk i kanë shpëtuar procedimit.
Kjo, pasi shumë prej tyre bllokuan aksin dhe penguan shoferët në qarkullimin normal. Banorët e proceduar janë të fshatrave Dunicë dhe Trebinjë.
Ata kërkojnë ndërtimin e një rruge që jo vetëm i lidh me aksin kryesor, por i çon edhe te tokat e tyre për të punuar, por kalimi i rrugës së re kombëtare i pengon.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit A. A., 46 vjeç, K. H., 25 vjeç, L. H., 39 vjeç, G. H., 58 vjeç, D. H., 60 vjeç, A. H., 35 vjeç, A. H., 33 vjeç, O. S., 41 vjeç, banues në fshatrat Dunicë dhe Trebinjë, pasi dje, gjatë zhvillimit të një proteste, në aksin rrugor “Qukës-Qafë Pllocë”, në fshatin Kalivaç, kanë tentuar të bllokojnë rrugën, për të penguar kalimin e mjeteve”, njoftoi policia vendore.
Procedimi penal ka nisur në gjendje të lirë ndaj tyre dhe do jetë Prokuroria që do përcaktojë hapat e mëtejshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






