

Pogradec – Çështja Egli Progës: Dy të dyshuarit lihen në “arrest shtëpie”
Dy personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë të Egli Progës në Pogradec kanë lënë qelitë dhe tashmë ndodhen nën masën “arrest shtëpie”, sipas një vendimi të Gjykatës së Korçës dhënë tre ditë më parë. Vendimi është marrë pasi kanë përfunduar afatet ligjore të qëndrimit të tyre në paraburgim.
Ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2024 dhe hetimet e Prokurorisë së Korçës vijojnë ende. Pamjet filmike të lokalit ku ndodhi incidenti janë dërguar jashtë vendit për ekzaminim të specializuar.
Fillimisht, Leonidha Guçe ishte hetuar vetëm për moskallëzim krimi, por rreth 9 muaj më pas Prokuroria ka dalë në përfundimin se ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në përplasjen fizike që i parapriu humbjes së jetës së Progës, së bashku me Denis Meçen.
Sipas hetimeve, Proga është goditur fillimisht brenda lokalit nga Guçe, ndërsa jashtë lokalit është përballur edhe me Meçen.
Masat e vendosura:
Denis Meçe – vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim (arrest shtëpie)
Leonidha Guçe – vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim (arrest shtëpie)
Arjan Manellari – moskallëzim krimi (detyrim paraqitjeje)
Voltan Shkulaku – moskallëzim krimi (detyrim paraqitjeje)
Andi Shkulaku – moskallëzim krimi (detyrim paraqitjeje)
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






