Transmetuar më 18-11-2025, 07:56

KOSOVË- Oda Ekonomike e Kosovës ka fituar betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji në Gjykatën Supreme, duke ndikuar drejtpërdrejtë në funksionimin dhe transparencën e tregut të energjisë elektrike në vend.

Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar sot dy dispozita kyçe të rregulloreve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke i konsideruar ato të paligjshme në lidhje me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Vendimi vjen si goditje për procesin e implementuar në mënyrë të nxituar nga ZRRE-ja, pa konsultime me bizneset apo palët e interesuara, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.

Vendimi, i marrë në procedurën administrative P.A. nr. 18/2025, ka ardhur pas padisë së Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e cila argumentoi se masat e ZRRE-së kishin krijuar diskriminim dhe rritje të çmimeve deri në 200% për mbi 1.300 biznese private. Kolegji gjyqësor, i kryesuar nga gjyqtarja Delushe Halimi, me anëtarë Lumni Sallauka dhe Franciska Zhitija-Ymeri, miratoi pjesën kryesore të kërkesës së OEK-së.

Në aktgjykim, Gjykata shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi nenit 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017. Po ashtu, u anulua neni 2 i Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i miratuar më 28 mars 2019, pas ndryshimeve të 13 qershorit dhe 30 tetorit 2018.

“Shpallet i paligjshëm dhe shfuqizohet neni 8 i Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017”, thuhet qartë në dispozitën e dytë të aktgjykimit.

Gjykata hodhi poshtë kërkesat e tjera të OEK-së, duke i konsideruar të palejueshme shfuqizimin e Aktit të Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut, të publikuar më 12 mars 2025, si dhe detyrimin e ZRRE-së për të udhëzuar KESCO-n të korrigjojë faturat e qershorit 2025 dhe të shfuqizojë kontratat individuale për konsumatorët jofamiljarë pas 1 qershorit.

“Hedhet poshtë kërkesëpadia e paditëses në pikën III të petitumit kërkesëpadisë”, specifikohet në vendim. Çdo palë mban shpenzimet e veta procedurale, ndërsa aktgjykimi merr formë të prerë menjëherë pas komunikimit dhe ZRRE-ja detyrohet ta publikojë atë si aktin origjinal.

Padia e OEK-së, e paraqitur më 19 gusht 2025, theksonte se ZRRE-ja kishte krijuar një “hendek ligjor” përmes interpretimit të gabuar të nenit 37, paragrafi 2, të Ligjit nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike.

Ky nen ndan konsumatorët familjarë nga jofamiljarët bazuar në qarkullim vjetor deri në 10 milionë euro ose numër punonjësish deri në 50, por OEK-ja argumentoi se kriteret ishin interpretuar njëanshëm, duke favorizuar KESCO-n dhe operatorët privatë.

“Të drejtën e furnizimit si shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se dhjetë (10) milionë euro, ose jo më shumë se pesëdhjetë (50) punonjës”, citon padia ligjin, duke shtuar se interpretimi i ZRRE-së kishte detyruar biznese me numër të madh punonjësish – por jo konsum të lartë – të paguajnë çmime “prej së paku mbi 200% të çmimit të faturës së fundit”.

OEK-ja akuzoi ZRRE-në për shkelje të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), duke mos publikuar vendime administrative dhe duke qasur të dhëna konfidenciale nga ATK-ja pa autorizim.

“Kjo ka shkaktuar efekte dhe dëme joproporcionale”, tha avokati Ekrem Hoxha në seancën e 5 nëntorit 2025, duke theksuar se masat kishin efekte “në rritjen e çmimeve (inflacionin), humbjen e mijëra vendeve të punës dhe tkurrjen e ekonomisë vendore”.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme se ka arritur një fitore të rëndësishme ligjore, me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe transparencën e tregut të energjisë elektrike në vend.

Sipas OEK, me aktgjykimin P.A.nr.18/2025, të datës 05.11.2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e OEK-ut dhe ka konstatuar si të paligjshëm disa dispozita kyçe të akteve nënligjore të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

“Gjykata Supreme ka vendosur të shfuqizojë Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017, si dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i ndryshuar dhe plotësuar në datat 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018.Ky vendim përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë. Ai njëkohësisht adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025. Oda Ekonomike e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar”, thuhet në reagim.

OEK thekson se do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin.

Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve duke e cilësuar rastin si dëshmi të qartë të “dështimit profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe të Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik”.

Sipas AKB-së, rregullatori ka vepruar për vite me akte nënligjore të paqëndrueshme, të hartuara jashtë standardeve evropiane dhe pa asnjë analizë të ndikimit ekonomik, duke e futur tregun e energjisë në kaos dhe duke cenuar të drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve.

“ZRRE ka humbur funksionin e saj bazë-mbrojtjen e interesit publik. Në vend të rregullimit profesional, ajo ka prodhuar pasiguri juridike dhe përplasje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Organizata vlerëson se Qeveria mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi ka lejuar zbatimin e akteve të paligjshme dhe ka dështuar në mbikëqyrjen profesionale të sektorit.

“Lejimi i akteve të paligjshme dhe mungesa e kontrollit profesional janë qasje të rrezikshme që dëmtojnë stabilitetin e sektorit energjetik dhe kredibilitetin e institucioneve të vendit”, citon Monitor.

Vendimi nxjerr në pah mungesën e një faze tranzitore dhe konsultimeve, siç kërkohet nga standardet e BE-së. ZRRE-ja, sipas OEK-së, kishte shtyrë liberalizimin për shkak të pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike, por e kishte rifilluar pa bazë ligjore të plotë. “Procesi i liberalizimit ta kryejë duke siguruar dhe ofruar dobi domethënëse”, rikujton padia Direktivën 2009/72/EC të BE-së.

Ky vendim mund të ndikojë në qindra padi individuale kundër KESCO-së dhe ZRRE-së, duke hapur rrugë për rishqyrtim të kontratave dhe faturave. Bizneset presin tani një bazë të re rregullatore, ndërsa ZRRE-ja detyrohet ta zbatojë menjëherë. OEK-ja e vlerëson si fitorje për barazinë dhe proporcionalitetin, duke theksuar se “çdo akt administrativ duhet të jetë i ligjshëm, i arsyeshëm dhe i drejtë”, siç parashikon neni 5 i LPPA-së.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit