

Tiranë- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë, ku demokratët kërkuan largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK lidhur me tunelin e Llogarasë.
Bardhi theksoi se Balluku është sot figura më e fuqishme brenda qeverisë dhe, sipas tij, përfaqëson boshtin e aferave korruptive të mazhorancës.
“Nuk është qeveria Rama, është qeveria Balluku. Sot kemi qeverinë e Belinda Ballukut,” u shpreh ai, duke nënvizuar se ndikimi i saj në qeverisje ka tejkaluar çdo figurë tjetër të kabinetit.
Sipas Bardhit, çdo zhvillim ligjor që preket zv/kryeministren përbën një tronditje të drejtpërdrejtë për gjithë qeverinë.
“Unë besoj se rënia e zv/kryeministres është goditje ndaj mazhorancës dhe qeverisjes së Edi Ramës,” tha ai, duke shtuar se Balluku “ka ekzekutuar çdo aferë korruptive të kësaj qeverie”.
Bardhi shkoi edhe më tej, duke e konsideruar përgjegjësinë e saj të lidhur ngushtë me vetë kryeministrin.
“Rënia e saj është rënia de-facto e qeverisë së Edi Ramës. Kështu e shoh unë nga fuqia që ka ajo dhe nga sasia e aferave që ka bërë së bashku me kryeministrin”, u shpreh Bardhi në News24.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






