

Tiranë, 17 Nëntor 2025 Në 81-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut paraqiten në një gjendje të rënduar, me pllaka të çara, emra të zhdukur dhe trotuare të dëmtuara, duke krijuar një kontrast të fortë me memorialet e ushtarëve të huaj në kryeqytet, të cilat janë të mirëmbajtura dhe të rrethuara nga gjelbërim.
Gjatë verifikimeve në terren u konstatua se një pjesë e varreve janë të plasaritura, ndërsa në shumë raste mungojnë shkronjat dhe të dhënat identifikuese të dëshmorëve. Edhe ndriçimi dhe pjesët përreth varrezave paraqiten me dëmtime, ndërkohë që disa varre figurojnë plotësisht pa emra, duke pritur ende vendosjen e të dhënave.
Sipas autoriteteve, ndërhyrja e fundit e mirëfilltë për restaurim është kryer rreth gjashtë vite më parë, periudhë në të cilën vetëm disa varre u pajisën me pllaka të reja mermeri.
Ndërkohë, varrezat e ushtarëve britanikë dhe gjermanë në Tiranë janë të rregulluara, me emra të gdhendur qartë dhe ambiente të mirëmbajtura. Edhe memoriali i 251 viktimave që kundërshtuan tentativën e grushtit të shtetit në Turqi në vitin 2016 është në gjendje shumë të mirë.
Enkelejda Pashalliu, specialiste në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, pranoi se mungesa e fondeve ka penguar restaurimet, por theksoi se me buxhetin e vitit 2026 pritet të nisë një ndërhyrje emergjente për vendosjen e emrave të munguar dhe rregullimin e trotuareve në Varrezat e Dëshmorëve. Fiks Fare


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






