

Prokuroria e Tiranës ka paraqitur kërkesën për dënimin e të miturit Mario Përlleshaj, i cili akuzohet për ngjarjen e ndodhur në nëntor të vitit 2024 ku humbi jetën 15-vjeçari Martin Cani dhe u lëndua Luis Meçja. Prokuroria kërkoi një dënim prej 25 vitesh, duke e kualifikuar rastin si një situatë me rrethana të rënda.
Megjithatë, prokurorja Alma Felaj i kujtoi gjykatës se vendimi përfundimtar i takon vetëm trupës gjykuese, teksa neni 97 i Kodit Penal, që rregullon dënimet për të miturit, përcakton se në raste të tilla dënimi nuk mund të kalojë 12 vite.
Kjo do të thotë se, nëse gjykata aplikon dispozitat e posaçme për të miturit, dënimi maksimal mund të jetë 12 vite, pra më pak se gjysma e pretencës fillestare.
Çfarë pritet më tej?
Në seancën e ardhshme do të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes, si edhe qëndrimet e familjarëve të palëve të përfshira. Kujtojmë se gjatë incidentit është lënduar edhe vetë i mituri i akuzuar.
Mario Përlleshaj, aktualisht 14 vjeç, ndodhet në institucionin e të miturve në Kavajë që prej nëntorit 2024.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja u regjistrua më 18 nëntor 2024 pranë shkollës “Fan Noli”, vetëm pak metra larg ambienteve të saj. Vetëm disa ditë më parë të miturit kishin pasur një përplasje, për të cilën shkolla deklaroi se i kishte ballafaquar dhe se palët ishin pajtuar. Por tensionet duket se vijuan edhe jashtë ambienteve të shkollës, duke çuar në incidentin e rëndë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






