

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka bërë orët e fundit një seri daljesh publike duke folur për parashikimin e motit.
Këto dalje të përsëritura vijnë pak ditë pasi në Parlament u kërkua paraqitja e saj për të folur mbi skandalin e tunelit të Llogarasë që SPAK e akuzon se është e përfshirë në përlarjen e të paktën 50 milionë eurove në tenderin e diskutueshëm.
Balluku ka folur gjatë orët e fundit për shërbimin sinoptik duke bërë paralajmërime serioze se moti do të përkeqësohet aq shumë ditët në vazhdim saqë do të ketë përmbytje të gjera.
Gjithsesi Balluku pranon se moti dhe prognozat për të janë në dinamikë dhe kanë ndryshuar disa herë e pritet të ndodhë sërish.
Një tjetër fakt që bëri publik është se ka hapur portat e basenëve për t’i zbrazur ato, me shpresën se do të mbushen nga shirat e ditëve të ardhshme.
Në takimin kryesisht online me Agjencinë Kombëtare të Emergjencave Civile, prefektët dhe kryetarët e bashkive Balluku tha se në të 12 qarqet "i konsiderojmë zona me rrezikshmëri të lartë për përmbytje".
Por pse po del kaq shpesh për motin Belinda Balluku, kujt i frikësohet dhe çfarë gjëje po i paraprin?
Për të disatën herë, edhe pasditen e sotme, ajo tha: "Presim një përkeqësim të motit në orët e vona të natës sonte, duke nisur më pas me reshje me intensitet të lartë në veri dhe në verilindje të vendit, rreth orës një pas mesnate. Pra, duke u gdhirë data 18, situata do të agravohet dhe nga të gjitha të dhënat, pjesa më e goditur e vendit do të jetë pjesa veri dhe verilindore.
Mbi kaskadë parashikohet që të ketë intensitet shumë të lartë të prurjeve dhe intensitet të lartë të reshjeve", tha Balluku.
Ajo tregoi se janë nxjerrë jashtë basenëve volume të mëdha rezervash ujore në basenin e Komanit dhe basenin e Vaut të Dejës. Kurse tha se Fierza është e kyçur, është jashtë pune, pikërisht për të rritur depozitat e basenit të Fierzës dhe nga ana tjetër për të mos rënduar situatën në basenin e poshtëm.
Këto informacione që ndau Balluku duket se janë parapritë e përmbytjeve të mundshme që në vite kanë shkaktuar kaos dhe dëme të mëdha te banorët përreth.
Një tjetër frikë që ka Balluku është dhe kthimi sërish i Shkodrës në Venecia. Ajo ka përdorur taktikën e zbrazjes së baseneve duke i lënë ato pa ujë, me bindjen se do mbushen sërish nga shirat e pritshëm.
Moti i Ballukut, klimë ankthi për qytetarët
Daljet e shpeshta të Ballukut duke bërë parashikimin e motit kanë krijuar një klimë ankthi te shumë njerëz.
Për vetë aksesin e gjerë që ka marrë nga të gjitha televizionet, është krijuar një klimë pasigurie dhe një vox-pop sot me disa qytetarë tregoi pikërisht klimën e pasigurisë që ka provokuar Balluku.
Disa shkojnë më larg duke e parë këtë si taktikë për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Llogarasë, duke shtuar se qeveria e ka për detyrë thjesht të punojë, por jo me kaq shumë publicitet. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






