Transmetuar më 17-11-2025, 14:57

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka kërkuar shpjegime nga qeveria shqiptare dhe 36 studentë të Mjekësisë, të cilët kanë paraqitur një ankesë ndaj ligjit që i detyron të punojnë brenda vendit për një periudhë 3-vjeçare ose, në të kundërt, të mbulojnë koston e studimeve.

Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë pretendojnë se me këtë ligj dhe me mënyrën se si u trajtua ankimi i tyre në sistemin vendas, janë cenuar disa të drejta themelore, përfshirë privatësinë, të drejtën për arsim, mosdiskriminimin dhe të drejtën për një proces të drejtë.

Gjykata e Strasburgut e ka pranuar çështjen për shqyrtim dhe u ka dërguar palëve një listë të detajuar pyetjesh. Ndër to përfshihet nëse ligji ishte i parashikuar qartë në sistemin shqiptar, nëse synonte një qëllim të justifikuar dhe si u trajtua dosja në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata kërkon gjithashtu sqarime mbi procedurat që do të zbatohen nëse dispozitat mbeten në fuqi.

Ligji i kontestuar, i miratuar në vitin 2023, u prit me reagime nga studentët, të cilët e konsideruan si kufizim të zgjedhjes së lirë të profesionit dhe vendit të punës. Çështja u çua në Gjykatën Kushtetuese.

Më 26 shkurt 2024, Kushtetuesja vendosi të shfuqizojë pjesërisht ligjin. Edhe pse e konsideroi legjitim synimin për të garantuar stafe në sistemin shëndetësor publik, ajo e vlerësoi masën si të tepruar. Gjykata e uli afatin maksimal të detyrimit nga 5 vjet në 3 vjet dhe argumentoi se skema krijonte kufizim të vonuar për studentët që tashmë ishin të regjistruar.

Si pasojë e vendimit, Parlamenti bëri ndryshime më 19 shtator 2024, duke e përshtatur ligjin me rekomandimet e Kushtetueses. Afatet e angazhimit u rishikuan në 3, 2 ose 1 vit, sipas vitit të regjistrimit.

Megjithatë, detyrimi për të paguar “koston e plotë” të studimeve nëse studentët refuzojnë kontratën dhe pezullimi i diplomës deri në përfundimin e periudhës së punës mbetën në fuqi. Pikërisht këto dy elemente kundërshtohen nga 36 studentët që e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit