

Prokuroria Tiranë kërkon shpalljen fajtor të shtetasit I.B., alias B., alias M., për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim; “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në formën e mbajtjes në banesë; dhe “Falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave të falsifikuara”.
Nga hetimet ka rezultuar se më 15.03.2024 persona të armatosur, pasi kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së shtetasit Gentian Bejtja, kanë hyrë në oborr dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të shtetasit G.B., i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e të shtënave.
Pak minuta pas ngjarjes, në rrugën dytësore të fshatit Hasan, Fushë-Krujë, është konstatuar një automjet tip “Land Rover” duke u djegur, mjeti i përdorur nga autorët në vendngjarje.
Nga provat e administruara rezulton se i pandehuri I.B., në periudha të ndryshme para ngjarjes, me automjetin e tij ka qenë në afërsi të vendit ku ndodhej banesa e shtetasit G.B. Kjo provohet nga këqyrja e GPS-it të automjetit, të cilin ai e kishte marrë me qira.
Nga akti i ekspertimit biologjik të ADN-së është konkluduar se në automjetin e markës “Volkswagen Golf”, me ngjyrë të zezë, në pronësi të shtetasit E.H. (arrestuar më 19.03.2024), i përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegies së automjetit “Land Rover” në fshatin Hasan, Fushë-Krujë, është përfituar profil gjenetik i shtetasve I.B. (alias I.B., alias I.M., arrestuar më 19.03.2024) dhe F.P. (alias F.S., alias F.M.), të cilët dyshohen se kanë pasur rol në ekzekutimin e shtetasit G.B., më datë 15.03.2024, në fshatin Larush, Fushë-Krujë.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore është urdhëruar regjistrimi i emrave të personave nën hetim në lidhje me procedimin penal nr. 1944 të vitit 2024. Për shtetasin I.B., më datë 28.02.2025, është bërë veçimi i procedimit penal nr. 1944/2 të vitit 2024, i cili, bazuar në provat e grumbulluara, ka rezultuar se i pandehuri ka bashkëpunuar me personat e tjerë duke luajtur rolin e ndihmësit në kryerjen e veprës penale.
—
Kërkesat e Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kërkon:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.B. (alias Brahimi, alias Mançellari) për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 21 (njëzet e një) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në formën e mbajtjes në banesë, parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
3. Deklarimin fajtor për veprën penale “Falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave të falsifikuara”, parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, kërkohet bashkimi i dënimeve në një dënim të vetëm, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin I.B. me 23 (njëzet e tre) vite burgim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






