Transmetuar më 17-11-2025, 07:49

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se për Kosovën anëtarësimi në NATO është shumë më urgjent sesa integrimi në Bashkimin Europian, duke theksuar se siguria e rajonit varet nga prania e Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

“E shoh NATO-n si më të domosdoshme se BE-në në këtë moment. Integrimi evropian kërkon kohë, por siguria është e menjëhershme — sidomos përballë Serbisë dhe ndikimit rus,” u shpreh Osmani nga Berlini.

Në një intervistë për “Politico”, Osmani tha se çdo zgjerim i territorit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor “do ta frenonte Rusinë”, e cila sipas saj synon destabilizimin e rajonit dhe të kontinentit evropian.

Presidentja theksoi se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret kryesore për anëtarësim në Aleancë, duke investuar mbi 2% të GDP-së në mbrojtje dhe duke paralajmëruar rritje të dyfishtë të buxhetit për fushën ushtarake gjatë katër viteve të ardhshme. Ajo nënvizoi se nëse Kosova do të ishte pjesë e NATO-s, “Serbia nuk do të guxonte kurrë të ndërmerrte veprime agresive”.

Në lidhje me integrimin evropian, Osmani u shpreh e zhgënjyer që, pavarësisht harmonizimit të plotë të politikës së jashtme me BE-në dhe zbatimit të reformave, procesi mbetet i bllokuar.

“Qasja jonë pro-evropiane merret si e mirëqenë, nuk vlerësohet,” tha ajo, duke shtuar se pret që Gjermania të marrë një rol drejtues në procesin e zgjerimit dhe që anëtarësimi të mbështetet mbi parimin e meritave. “Nëse meritat do të ishin vendimtare, Kosova do të kryesonte”, theksoi Osmani.

Presidentja foli edhe për sigurinë në rajon, duke akuzuar Serbinë se po vepron si “zgjatim i Rusisë” dhe se presidenti Aleksandar Vuçiç po përpiqet ta kthejë Ballkanin në atmosferën e viteve ’90. Ajo kritikoi BE-në se për një kohë të gjatë ka ndjekur politika akomoduese ndaj Beogradit, të cilat “nuk kanë dhënë rezultat”.

Osmani theksoi se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës euroatlantike, ndërsa siguroi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj reformave dhe partneritetit me aleatët perëndimorë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit