Transmetuar më 16-11-2025, 14:22

Një 48 vjeçare ka ndërruar jetë në banesë në lagjen 15 të qytetit të Korçës.

Gentiana Nano u dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës dy ditë më pare pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrje, ndërsa është trajtuar në shërbimin e urgjencës dhe është dërguar më pas në shtëpi. Ditën e nesërme, përsëri nuk është ndjerë mirë dhe familjarët kanë njoftuar ambulancën dhe mjeku i ka bërë injeksione pasi viktima kishte rrahje të rritura të zemrës dhe tension të ulët. Mëngjesin e sotëm, mësohet se 48 vjeçarja sërish nuk është ndjerë mirë dhe ka qenë djali dhe babai i saj që e kanë gjetur të pajetë në dhomë.

Djali i saj Erdiol Nano ka hedhur akuza kundrejt mjekëve të spitalit të Korçës duke thënë se këta të fundit nuk kanë treguar kujdesin e nevojshëm për nënën e tij.

“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. Nuk ishte mirë dhe tha do shkojmë në spital. E çuam, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihem mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë? Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. Sot në mëngjes u ngrit, mori për të ngrenë dhe ishte në dhomën e saj. Gjyshi më tha hajde foli mamit se s’po na përgjigjet. U ngrita dhe shkova atje, e pashë të shtrirë, e kuptova që kishte ndërruar jetë. Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër”, u shpreh ai.

Policia e Korçës po merr deklarimet e familjarëve për rastin ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe stafi mjekësor që kanë qenë në shërbim përgjatë këtyre dy ditëve. Nga ana tjetër, trupi i 48 vjeçares do ti nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit