Transmetuar më 15-11-2025, 20:40

Itali, 15 nëntor 2025 – Xhenova është goditur sot nga një valë ekstreme moti, e cila ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka paralizuar një pjesë të mirë të qytetit. Reshjet intensive të shiut çuan në shembjen e një muri në një park publik, duke dëmtuar disa automjete të parkuara.

Përveç reshjeve të dendura, një tornado goditi zonën e portit, duke shkaktuar shkuljen e pemëve dhe rrëzimin e kontejnerëve nga lartësi të mëdha. Fatmirësisht nuk raportohen persona të lënduar. Erërat e fuqishme dëmtuan rëndë edhe çatinë e kompanisë së mbledhjes së mbeturinave komunale, duke shtuar kaosin në qytet.

Autoritetet italiane kanë mobilizuar një numër të madh ekipesh zjarrfikëse, policie dhe Mbrojtjeje Civile për të menaxhuar situatën, ndërsa problemet janë të përhapura në shumë zona qendrore të Xhenovës. Shtëpi njëkatëshe dhe mbikalime janë përmbytur, ndërsa trafiku në unazën Aurelia – një nga lidhjet kryesore mes Italisë dhe Francës – është ndërprerë plotësisht.

Sipas parashikimeve meteorologjike, kjo valë e motit të keq pritet të zhvendoset në orët e ardhshme drejt zonave të tjera të Italisë veriore, si dhe drejt Toskanës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit