Transmetuar më 14-11-2025, 21:30

Operacion i përbashkët Ekuador–Spanjë shkatërron një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të kokainës që vepronte në Evropë dhe Amerikën Latine.

Autoritetet e Ekuadorit, në bashkëpunim me forcat policore spanjolle, kanë finalizuar një operacion të gjerë antidrogë që çoi në shkatërrimin e një organizate ndërkombëtare kriminale të specializuar në trafikimin e kokainës drejt Evropës. Gjatë aksionit janë arrestuar 23 persona — 12 në Ekuador dhe 11 në Spanjë — ndër ta edhe shtatë shtetas shqiptarë, të cilët dyshohen si pjesë kyçe e logjistikës dhe menaxhimit të rrjetit.

Sipas autoriteteve ekuadoriane, agjentët kryen tetë bastisje të sinkronizuara në orët e para të mëngjesit në komunat Samborondón, Naranjal dhe Daule, në provincën Guayas. Në këto zona grupi kishte ngritur pika operacionale, magazina të fshehta dhe infrastrukturë për përpunimin e dërgesave.

Hetimet, të cilat kanë zgjatur rreth tre vite, zbuluan se organizata funksiononte në disa kontinente, duke trafikuar sasi të mëdha droge drejt Spanjës, Belgjikës dhe Holandës, si dhe duke shtrirë ndikimin e saj në disa shtete afrikane. Vlera e drogës që dyshohet se ka kaluar nëpër rrjet kap shifrën e 300 milionë dollarëve në tregun ndërkombëtar.

Gjatë operacionit policor u sekuestruan armë zjarri, shuma të konsiderueshme parash, pajisje elektronike, si dhe bizhuteri të përdorura për pastrimin e parave. Autoritetet bëjnë me dije se organizata kriminale përdorte biznese të ligjshme si fasadë për të kamufluar aktivitetet e saj dhe për të realizuar eksportin e substancave narkotike në sasi industriale.

Hetimet pritet të zgjerojnë edhe më tej bashkëpunimin ndërkombëtar, pasi pistat çojnë drejt rrjeteve të tjera të lidhura në Evropë dhe Amerikën Latine.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit