

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Turqi, ku një 36-vjeçar shqiptar, ka humbur jetën në Stamboll pasi i ishte nënshtruar një transplanti flokësh dhe një trajtimi dentar.
Mentor Rama, kishte qëndruar në një hotel në zonën e Sisli-t, pranë klinikës ku bëri transplantin. Një ditë më vonë, ai iu nënshtrua edhe një procedure dentare, por më pas u rrëzua pa ndjenja në hotel. 36-vjeçari me shtetësi britanike u dërgua me urgjencë në spitalin Seyrantepe Hamidiye Etfal, ku u shpall i vdekur rreth orës 16:30, më 11 nëntor.
Pas autopsisë, trupi i tij iu dorëzua familjarëve dhe u kthye në vendlindje. Autoritetet turke kanë nisur një hetim mbi rastin.
Çmimi i ulët i procedurave estetike po tërheq gjithnjë e më shumë shtetas britanikë drejt Turqisë, ku një transplant flokësh mund të kushtojë rreth 1500 paund, shumë më pak se mbi 10,000 paund në Britaninë e Madhe, raportojnë mediat britanike.
Vetëm në vitin 2022, rreth 150 mijë britanikë udhëtuan drejt Turqisë për ndërhyrje estetike. Mjekët në këtë vend raportohet të kryejnë rreth 60% të të gjitha transplanteve të flokëve në botë.
Në gusht, një 38-vjeçar tjetër nga Britania humbi jetën pas udhëtimit në Turqi për transplant flokësh në një klinikë private në Stamboll.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






