Transmetuar më 14-11-2025, 17:07

“The Devil Wears Prada 2”: publikohet traileri i parë i vazhdimit të shumëpritur — Meryl Streep dhe Anne Hathaway rikthehen pas 20 vitesh

Fansat e një prej komedive më ikonike të dy dekadave të fundit kanë marrë më në fund atë që prisnin prej vitesh: traileri i parë i “The Devil Wears Prada 2” është publikuar, duke rikthyer në ekran Meryl Streep dhe Anne Hathaway në rolet që i kthyen në legjenda.

Filmi i ri, që do të dalë në maj 2026, sjell sërish dy aktoret fituese të Oscar-it në betejën e tyre të famshme mes redaktores tiranike Miranda Priestly dhe asistentes së dikurshme Andy Sachs. Streep, e cila u nominua për Oscar për rolin e Priestly-t në filmin e parë, rikthehet në kinematë pas një pauze që nga “Don’t Look Up” (2021).

Në kastin e rikthyer bëjnë pjesë edhe Emily Blunt dhe Stanley Tucci, ndërsa prurja e re më e bujshme është Kenneth Branagh, i cili luan bashkëshortin e ri të Priestly-t. Filmi pritet të ketë edhe pjesëmarrje surprizë nga Lady Gaga dhe Sydney Sweeney, si dhe emra të njohur si Simone Ashley, Rachel Bloom dhe Lucy Liu.

Çfarë na pret në vazhdimin e filmit?

Regjisori David Frankel kthehet sërish në krye të projektit, ndërsa historia këtë herë fokusohet te përplasja e Priestly-t me realitetin e ri të industrisë së modës: rënia e revistave tradicionale dhe dominimi i platformave digjitale. Për të mbijetuar, ajo detyrohet të bashkëpunojë me Emily-n (Blunt), dikur asistente, sot drejtore e një brandi të fuqishëm luksi.

Një rikthim me shumë nostalgji

Filmi i parë i vitit 2006 ishte një sukses global me mbi 326 milionë dollarë fitime, dhe një ndikim kulturor që vazhdon edhe pas gati 20 vitesh. Emily Blunt ka treguar më herët se filmi ka “rrënjë të thella emocionale” për të dhe për Stanley Tuccin, i cili më vonë u bë kunati i saj.

Edhe Anna Wintour, inspirimi i supozuar i personazhit të Miranda Priestly-t, ka folur së fundmi për filmin origjinal, duke e cilësuar interpretimin e Streep “të zgjuar, plot humor dhe absolutisht të jashtëzakonshëm”.

Një vit i madh për Hathaway

Anne Hathaway pritet të ketë një vit të mbushur me projekte, me rolet në drama, thrillerë dhe adaptime të njohura, përfshirë “Mother Mary”, “Verity” dhe një version të ri të “The Odyssey” nga Christopher Nolan.

“The Devil Wears Prada 2” vjen në një verë të mbushur me superproduksione, ku pritet të dalin edhe Scary Movie 6, Toy Story 5, Minions 3 dhe Spider-Man: Brand New Day. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit