

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur të mbyllë misionin e tij të radhës në Shqipëri. Në konferencën përmbyllëse, shefja e misionit, Anke Weber, deklaroi se ekonomia shqiptare vijon të jetë mes atyre me ritmet më të larta të rritjes në Europë, megjithëse theksoi se disa sfida strukturore kërkojnë adresim të qëndrueshëm.
Sipas Weber, FMN parashikon një rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në vitin 2026, të nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi. Ajo nënvizoi se politika monetare ka kontribuar në uljen e inflacionit nën objektivin e bankës qendrore, ndërsa politikat fiskale të viteve të fundit kanë ndikuar në reduktimin e borxhit publik.
“Pavarësisht një tabloje makroekonomike të qëndrueshme, presionet fiskale – përfshirë ato nga shpenzimet sociale dhe mbrojtja – mund të kufizojnë hapësirat buxhetore nëse nuk adresohen me kohë”, tha Weber.
FMN rekomandon forcimin e administrimit tatimor, avancimin e reformës së taksës së pronës dhe rritjen e të ardhurave publike, si instrumente për të ruajtur stabilitetin fiskal afatgjatë.
Shefja e misionit vuri në dukje se sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar, ndërsa norma e papunësisë ka zbritur në nivele historikisht të ulëta.
Ministri Malaj: Rritje ekonomike 3.6% në gjashtëmujorin e parë të 2025
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi të dhënat e qeverisë për ecurinë e ekonomisë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke bërë të ditur se PBB është zgjeruar me 3.6%. Sipas tij, rritja është e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Malaj tha se për vitin 2025 parashikohet një rritje prej 3.9%, e mbështetur nga dinamika pozitive e ekonomisë reale. Ai deklaroi se investimet totale janë rritur me 4.1%, ndërsa projektet infrastrukturore dhe energjetike pritet të vijojnë të japin kontribut në rritje.
Sa i takon tregut të punës, ministri bëri të ditur se papunësia ka rënë në nivelin 8.5%, ndërsa punësimi dhe pagat janë rritur në disa sektorë.
Ai shtoi se inflacioni ka mbetur i ulët dhe i qëndrueshëm, me një mesatare prej 2.2% për vitin 2024 dhe 10-mujorin e vitit 2025. Deficiti i llogarisë korrente për 2024-n rezulton në nivelin 2.4% të PBB-së. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






