

Dëshmi të reja lidhur me humbjen e jetës së çiftit shqiptar në Brest të Francës, Andon Janaqi, 36 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Anjeza Zeneli, 30 vjeçe. Motra e Andonit, Paola Janaqi, ka dhënë një prononcim për Top Channel, ku mes dhimbjes ka bërë apel për sjelljen e trupit të vëllait në Shqipëri.
Paola tregon se ka folur me të vëllanë vetëm një ditë para ngjarjes tragjike dhe se ai ishte shprehur se po dilte për një xhiro për të larguar stresin.
“Me vëllain folëm dje. Më tha që ishte mirë, por po dilte një xhiro se ishte shumë i stresuar. Ishte si në ankth, si i trembur. Pastaj më tha ‘flasim më vonë’, por nuk më mori më. E telefonova disa herë, por nuk m’u përgjigj,” rrëfeu ajo.
Motra e 36-vjeçarit kërkon ndihmë që trupi i Andonit të rikthehet në vendlindje, duke thënë se familja e tyre nuk ka mundësi financiare për ta bërë vetë këtë proces.

“Dua vetëm vëllain ta sjellin këtu. Nuk kemi kushte, mamaja jeton me një rrogë të vogël, paguan borxhet. Nuk kemi çfarë bëjmë. Vetëm të na e sjellin vëllain. Nuk duam gjë tjetër,” tha ajo.
Paola tregon gjithashtu se familja nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti mes çiftit: “Nuk dinim asgjë. Sa herë flisnim thoshte ‘mirë jemi’. Ne nuk kemi folur më me familjarët e nuses dhe nuk duam të flasim,” theksoi ajo.
Çifti lë pas dy fëmijë të mitur, 9 dhe 3 vjeç, për të cilët motra shprehet se dëshiron që të mos ndahen nga familjet biologjike.
“Na kanë thënë që fëmijët mund t’i marrë shteti. Ne duam t’i marrim këtu, një ne dhe një gjyshja tjetër. Ata janë plagë në zemër për ne,” thotë Paola.
Autoritetet franceze vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes që i mori jetën çiftit shqiptar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






