Transmetuar më 14-11-2025, 14:56

Tragjedi familjare në Francë: Çifti shqiptar gjendet pa shenja jete, nëna e 36-vjeçarit rrëfen mes lotësh

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Brest të Francës, ku një çift me origjinë shqiptare është gjetur pa jetë në banesën e tyre. Viktimat janë identifikuar si Andon Janaqi, 36 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Anjeza Zeneli, 30 vjeçe.

Ngjarja ka sjellë tronditje të thellë edhe në familjen e të riut. Nëna e Andonit ka folur për mediat, duke u shprehur mes lotësh se nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti mes çiftit.

“Jam në një gjendje që nuk di çfarë ka bërë djali im. Më njoftuan se djali dhe nusja kanë humbur jetën. Nuk e di që të kishin probleme. Ishin mirë e bukur,” u shpreh ajo e përlotur.

E moshuara tregon se ka folur për herë të fundit me djalin një ditë më parë. “Fola dje rreth orës 14:30. Më tha se ishte i mërzitur, por nuk mora vesh pse. Djali i madh i mori telefonin dhe më tha të mbyllja. Po flisja për herë të fundit me të,” rrëfeu ajo.

Familja e të rinjve jetonte prej katër vitesh në Francë, me dokumente të rregullta dhe jetë të stabilizuar. Megjithatë, sipas nënës së 36-vjeçarit, kohët e fundit çifti kishte pasur disa mosmarrëveshje.

Ajo kërkon ndihmë për të sjellë trupin e djalit në Shqipëri. “Jam e varfër, me një rrogë të vogël. Nuk kam mundësi të shkoj në Francë. Dua të më ndihmoni të sjell djalin këtu,” thotë ajo.

Ndërkohë, marrëdhëniet me familjarët e nuses janë tensionuar. “Që kur ndodhi ngjarja nuk më flasin. Më thonë ‘si nuk ke turp që na flet?’. Nuk e di çfarë do të ndodhë me fëmijët,” shprehet e moshuara.

Autoritetet franceze vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë dhe për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes që i mori jetën çiftit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit