Transmetuar më 14-11-2025, 14:41

Ngjarje e rëndë në Romë: 27-vjeçari humb jetën pas një përplasjeje në banesë, shoku i dhomës vendoset në arrest shtëpie

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën Monteverde të Romës, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë i një strukture turistike ku qëndronte me mikun e tij.

Sipas të dhënave paraprake, viktima, Leonardo Fiorini, ishte përfshirë në një debat të ashpër me shokun e dhomës, 25-vjeçarin italo-shqiptar David Stojanovic. Konflikti, që fillimisht ka nisur brenda dhomës, sipas dëshmive të fqinjëve është zhvendosur deri në ballkon, ku ndodhi edhe momenti tragjik.

Gjatë përplasjes fizike, dyshohet se Fiorini është shtyrë dhe ka rënë nga një lartësi rreth 12 metra, duke humbur jetën në vend. Ekipet mjekësore të 118 mbërritën menjëherë, por nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.

Stojanovic u gjet ende në apartament, në gjendje të rënduar psikofizike, dyshohet pas përdorimit të substancave. Në dhomë u sekuestrua edhe një sasi hashashi. Të dy të rinjtë ishin të fejuar, por partneret e tyre nuk ndodheshin aty në momentin e ngjarjes.

I riu u shoqërua menjëherë në komisariat dhe, pas marrjes në pyetje, rreth orës 01:30 prokurori urdhëroi vendosjen e tij në arrest shtëpie, ndërsa pritet seanca e konfirmimit të masës para gjyqtarit.

Hetimet e karabinierëve vijojnë për të sqaruar motivet e konfliktit dhe dinamikën e saktë të rënies fatale. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit