Transmetuar më 14-11-2025, 13:07

Burgu i Bënçës në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht, duke sjellë pasoja të ndjeshme sociale dhe ekonomike për zonën. Sipas burimeve lokale, rreth 70% e personelit ka dhënë dorëheqjen pasi nuk ka pranuar transferimin në qytete të tjera, ndërsa 30% e punonjësve vijojnë punën vetëm për një periudhë tranzitore tre mujore.

Mbyllja e institucionit ka lënë afro 100 punonjës pa një vend pune, në një kohë kur mundësitë e punësimit në Tepelenë janë të kufizuara. Banorët e zonës e konsiderojnë situatën si një goditje të fortë për ekonominë lokale, veçanërisht për familjet që ndër vite janë mbështetur në të ardhurat e këtij institucioni.

Vendimi për mbylljen, i ardhur një ditë pas zgjedhjeve, ka sjellë debat dhe pakënaqësi. Punonjës dhe banorë të zonës kërkojnë që institucionet qendrore të publikojnë një plan mbështetës për familjet e prekura nga papunësia e menjëhershme.

Aktualisht po vijojnë procedurat e dorëzimit të godinës dhe transferimit të të dënuarve. Ende nuk ka informacion zyrtar për destinacionin e ardhshëm të objektit dhe nëse do të ketë alternativa punësimi për personelin e mbetur pa punë.

Burgu i Bënçës – një institucion me histori mbi 60 vite

I ndërtuar në vitet 1960, Burgu i Bënçës ka funksionuar ndër dekada si repart sigurie dhe shpesh si institucion rezervë i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me një kapacitet prej rreth 70 të dënuarish, ai është konsideruar ndër burgjet më të njohura të Jugut.

Për zonën e Tepelenës, institucioni ka qenë një punëdhënës i rëndësishëm, duke siguruar prej vitesh të ardhura të qëndrueshme për dhjetëra familje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit