

ITALI- Kryeministri Edi Rama foli për zhvillimet e fundit politike, marrëdhënien me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe gjendjen brenda mazhorancës. I ftuar në ABC News, duke iu referuar figurës së Nanos, Rama e cilësoi atë si “babin e tij politik”, ndërsa pranoi se ende “nuk e ka një bir politik që ta zëvendësojë”.
Rama komentoi edhe ngjarjet e datës 31 tetor, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn, hetimin e zv.kryeministres nga SPAK dhe ndarjen nga jeta të Fatos Nanos.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Më replikuat në fund të pjesës së parë, dhe thatë ‘çfarë po ndodh me ne’, çfarë po ndodh në fakt me mazhorancën?
Edi Rama: Çfarë po ndodh me maxhorancën?
Sokol Balla: Po, po të dëgjosh ekranet e Tiranës thuajse ka plasur lufta civile.
Edi Rama: Po kur ekranet e Tiranës kanë reflektuar realitetin e njerëzve në territor dhe kur njerëzit i kanë dëgjuar ekranet e Tiranës, se po të dëgjonin njerëzit ekrant e Tiranës ne nuk do kishim fituar asnjë palë zgjedhje dembabadem. Nuk e di fare çfarë thonë ekranet e Tiranës se nuk i shoh ekranet e Tiranës, më ilumino.
Sokol Balla: Përshembull t’i rikthehemi ditës së Halloween, 31 tetorit. Tre ngjarje që ndodhën në një ditë, pastaj rastësitë, ne si gazetarë nuk besojmë te rastësitë, një vendim i Gjykatës Kushtetuese që rikthen Erion Veliaj, në postin e kryetarit të Bashkisë, SPAK që merr në hetim zv.kryeministren, dhe pak orë më vonë vdes Fatos Nano.
Edi Rama: Nuk besoj se një dorë e padukshme i ka bashkuar këto të treja bashkë, ka ditë që janë me ngjarje, ka javë të tëra që nuk ka ngjarje, kështuqë, nuk I shoh të lidhura me njëra-tjetrën këto. Por nëse i marrim të treja me radhë, të treja kanë domethënien e tyre sipas meje.
Sokol Balla: I marrim me rradhë.
Edi Rama: Domethënia e parë, e lidhur me të parë është që një njeri i rëndësishëm i jetës publike shqiptare, për vite të tëra u nda nga jeta edhe la pas një kujtim pozitiv, mendoj. Madje ishte edhe disi e neveritshme të shikojë, që ata të cilët e torturuan e burgosën e përndoqën me fjalët më të egra të shqipes për vite të tëra, pa pritur e pakujtuar e mirëtrajtuan dhe i dhanë atë që, uroj më në fund ta besojnë, por nëse e besojnë duhet t’i kërkonin falje dhe të bënin një shfaqje pendese publike për çfarë i kanë bërë në të gjallë.
Sokol Balla: Më lejoni para se të kalojmë te pikat e tjera. Në fjalimin tuaj e pranuat se ai kishte qenë babai juaj politik, siç edhe pranuat që ju ishit i biri që politikisht vrau babain për t’i zënë atij vendin
Edi Rama: Këtë e kam thënë edhe herë të tjera.
Sokol Balla: Pyetja ime është që tani që ju jeni kryetar i PS që prej 25 tetorit 2005, kam patur fatin t’ju bëj intervistën e parë atëherë menjëherë pas kongresit, pra pas 20 vitesh ju jeni babai politik i PS-së.
Edi Rama: S’e kam një bir që të më ‘vrasë’ për momentin.
Sokol Balla: Keni apo s’keni.
Edi Rama: Jo s’e kam një bir politik që të më vrasë për momentin flas.
Sokol Balla: Pse ku është?
Edi Rama: S’e kam.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






