

Tiranë, 13 nëntor 2025
Një punonjës policie është arrestuar ditën e sotme në Kamëz, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe u përfshi në një aksident rrugor.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, inspektor F. L., me detyrë në Komisariatin Nr.5 të Tiranës, rezultoi pozitiv në testin e alkoolit me një nivel prej 0.91 mg/l. Për pasojë, ai u ndalua menjëherë, ndërsa nga përplasja u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Sipas burimeve paraprake, efektivi udhëtonte me një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe në kryqëzimin e një rruge është përplasur me një mjet tip “BMW”, që drejtohej nga një i ri rreth 22-23 vjeç.
Pas aksidentit, punonjësi i policisë dhe kolegu i tij, që ndodheshin në makinë, kanë tentuar ta zgjidhin situatën në mënyrë jozyrtare, por në vendngjarje ka mbërritur një tjetër patrullë policie. Sipas dëshmitarëve, kjo patrullë fillimisht ka tentuar t’u vijë në ndihmë kolegëve të përfshirë në aksident, para se ngjarja të referohej zyrtarisht për hetim nga AMP.
Ngjarja po hetohet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të verifikuar çdo veprim të paligjshëm që mund të jetë kryer pas aksidentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






