

Tiranë, 13 nëntor 2025
Në mbledhjen e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportin, ku u raportua për projektbuxhetin e vitit 2026 për universitetet publike të qyteteve jashtë Tiranës, nuk munguan debatet mes përfaqësuesve të botës akademike dhe deputetëve. Rektorët e universiteteve publike të rretheve, të pranishëm në seancë, e vlerësuan përgjithësisht pozitivisht ndarjen buxhetore për arsimin e lartë, duke e cilësuar “të mjaftueshme” për të mbuluar nevojat bazë të institucioneve që drejtojnë.
Rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, prof. dr. Elvira Fetahu, në fjalën e saj theksoi se vlerësimi pozitiv nuk nënkupton mungesë kërkesash, por është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm me Ministrinë e Arsimit.
“Ne kemi kërkesa që qëndrojnë, por vlerësojmë pozitivisht bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit. Nuk kam thënë se nuk kemi kërkesa — ato i kemi paraqitur në projektbuxhetin që e kemi dorëzuar”, u shpreh Fetahu.

Në të njëjtën linjë me të ishin edhe drejtues të tjerë të universiteteve publike të vendit, si rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, prof. dr. Tonin Gjuraj, të cilët ndanë të njëjtin qëndrim për domosdoshmërinë e bashkëpunimit institucional dhe largësinë nga retorika politike. Megjithatë, deputetët demokratë tentuan ta orientonin diskutimin në kah politik, gjë që u konsiderua nga përfaqësuesit akademikë si një përpjekje e pavend për ta politizuar arsimin e lartë.
Ky qëndrim u komentua me skepticizëm nga deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili në mënyrë ironike u shpreh se “rektorët po bëjnë elozhe ndaj qeverisë”.
Deklarata e tij solli reagimin e menjëhershëm të rektores së Universitetit të Elbasanit, e cila mbrojti me vendosmëri integritetin dhe pavarësinë e institucionit që përfaqëson. Ajo theksoi se universiteti është i pavarur dhe apolitik, duke refuzuar çdo përpjekje për ta politizuar debatin akademik.
Pjesa e debatit u bë edhe më e tensionuar kur Fetahu deklaroi se “nuk i kujtohej emri” i deputetit Baçi, gjë që ky i fundit e ktheu në batutë, duke vijuar replikën në të njëjtin ton ironik.

Pjesë nga debati
Luan Baçi: “Përgjigjet janë të nivelit të tillë që këtu duket sikur nuk ka asnjë problem. Të gjitha problemet janë të zgjidhura, buxheti është i mjaftueshëm, nuk ka nevojë për rritje, dhe juve e paskeni kërkesën vetëm tek vetja. Unë di që universitetet janë të pavarura, por shoh që bëni edhe ju elozhe ndaj qeverisë. Domethënë, jemi në majat më të larta dhe të gatshëm për Bashkimin Europian. Nëse do të ishte kështu, zonja e nderuar, më vjen keq, por duhet ta them: universitetet publike shqiptare janë të braktisura totalisht.”
Prof. Dr. Elvira Fetahu: Rektore e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”: “Besoj se duhet të respektojmë një farë etike kur flasim për njëri-tjetrin. Kur etiketohemi si ‘të rroftë partia’ apo me nënkuptime të tilla, nuk e pranoj këtë koment nga ana e anëtarit të komisionit, ndjesë se nuk ia kujtoj për momentin emrin. Universiteti i Elbasanit është institucion apolitik, i pavarur dhe drejtuesja e tij është shumë profesionale në këtë aspekt.”
Luan Baçi: “Edhe unë s’jua di emrin, sinqerisht ende nuk e kam mësuar. Nuk ishte e nevojshme të thonit ‘nuk ia kujtoj emrin’, mund të thonit ‘zotëria’, siç mund të them unë ‘zonja’. Se s’kujtohet emri, s’ka pse të kujtohet. Kujtoni emrat që ju interesojnë. Dhe këtu jeni në një komision parlamentar, pavarësisht statusit të rektores, jo në një sallë me studentë.”
Në fund të diskutimit, rektorja Fetahu përsëriti se Universiteti i Elbasanit është i përkushtuar ndaj arsimit dhe kërkimit shkencor, dhe jo pjesë e asnjë narrative politike, duke marrë mbështetje nga disa anëtarë të tjerë të komisionit për qëndrimin e saj profesional dhe të qetë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






