

Romë, Itali | 13 nëntor 2025
Kryeministri Edi Rama është pritur mesditën e sotme me ceremoni zyrtare në Pallatin Chigi në Romë nga homologja e tij italiane, Giorgia Meloni, në kuadër të Samitit të parë Ndërqeveritar Itali–Shqipëri.
Kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe, duke ngritur bashkëpunimin mes dy vendeve në nivel strategjik. Samiti i parë i këtij formati mes dy qeverive
Për herë të parë, në kryeqytetin italian po zhvillohet mbledhja e përbashkët e qeverive shqiptare dhe italiane, që vlerësohet si niveli më i lartë i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional mes dy vendeve.
Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar ndër vite një sërë marrëveshjesh dhe projekte të përbashkëta në fusha si mbrojtja, shëndetësia, energjia, infrastruktura, teknologjia dhe ekonomia, ndërsa bashkëpunimi mbetet thelbësor edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në vitin 2010, dy shtetet firmosën Deklaratën e Partneritetit Strategjik, që ka shërbyer si bazë për zgjerimin e marrëdhënieve ndërqeveritare.
Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen
Në agjendën e samitit parashikohet nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit, në fusha si:
mbrojtja dhe siguria,
energjia,
migracioni,
mbrojtja civile,
shëndetësia,
mjedisi,
zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura.
Në fund të tetorit, qeveria shqiptare kishte miratuar në parim një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për 10 sektorë strategjikë, e cila pritet të konkretizohet sot përmes nënshkrimit nga Rama dhe Meloni.
Në samit marrin pjesë 10 ministra të kabinetit qeveritar shqiptar, të cilët shoqërojnë kryeministrin Rama në këtë vizitë zyrtare. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve është planifikuar të mbahet rreth orës 14:00, pas takimeve dypalëshe mes delegacioneve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






